Një fluturim i kompanisë ajrore Jet2 që po transportonte turistë britanikë nga Tenerife drejt Birminghamit u kthye në një moment ankthi për qindra pasagjerë, pasi njëri prej pilotëve dyshohet se pësoi atak në zemër gjatë udhëtimit në mbi 9144 metra lartësi.
Avioni i fluturimit me kod LS1266 u detyrua të devijonte kursin dhe të kryente një ulje emergjente në aeroportin Francisco Sá Carneiro në Porto të Portugalisë, në orët e para të mëngjesit të së premtes.
Sipas dëshmive të pasagjerëve, situata në bord u bë dramatike kur stjuardesat nisën të kërkonin me urgjencë ndihmë mjekësore nga udhëtarët.
“Unë dhe partneri im ishim në gjumë kur u zgjuam nga kaosi. Dritat filluan të ndizeshin dhe stjuardesat, të cilat dukeshin shumë të shqetësuara, po kërkonin një mjek”, tha një pasagjer për The Sun.
Ai shtoi se avioni nisi të humbiste lartësi me shpejtësi, duke shkaktuar frikë te pasagjerët në bord. “Djali ynë dy vjeçar filloi të qante, ashtu si shumë fëmijë të tjerë, sepse avioni po zbriste shumë shpejt për një ulje emergjente”, u shpreh ai.
Pamjet e siguruara nga mediat britanike tregojnë automjetet e emergjencës që nxituan drejt pistës menjëherë pas uljes së avionit Airbus A321. Mjekët hipën menjëherë në avion për t’i dhënë ndihmë pilotit të sëmurë, i cili më pas u transportua me urgjencë në spital.
Ndërkohë, pasagjerët mbetën të bllokuar në aeroportin e Portos për më shumë se 13 orë, derisa kompania organizoi një tjetër fluturim me ekuipazh të ri.
Sipas raportimeve, Jet2 dërgoi një pilot tjetër nga Manchesteri drejt Portos për të realizuar kthimin e pasagjerëve në Mbretërinë e Bashkuar.
Një prej udhëtarëve tregoi se kompania ajrore i informoi se piloti kishte pësuar një atak në zemër. Nga ana tjetër, Jet2 reagoi me një deklaratë zyrtare, duke konfirmuar vetëm se njëri prej pilotëve “nuk ndihej mirë”.
“Fluturimi LS1266 nga Tenerife për në Birmingham u devijua drejt Portos për shkak se njëri prej pilotëve nuk ndihej mirë. Në asnjë moment siguria nuk u komprometua dhe klientët vazhduan më pas udhëtimin e tyre. Kërkojmë ndjesë për vonesën e paparashikuar”, deklaroi kompania.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)