Brazili, fushatë kundër shapkave me gisht: Mos i blini

Polemika rreth “Havaianas”, të djathtët kërkojnë bojkot për një reklamë në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2026.

27.12.2025. 11:48

Brazili, fushatë kundër shapkave me gisht: Mos i blini

Një reklamë e markës së njohur braziliane të shapkave “Havaianas” ka shkaktuar polemika politike në Brazil, ku figura të së djathtës kanë bërë thirrje për bojkot ndaj produktit. Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, aktorja Fernanda Torres, e njohur në kinemanë dhe teatrin brazilian, u shpreh se nuk duhet të “filloni vitin 2026 me këmbën e djathtë, por me të dyja këmbët”.

Shprehja, që në gjuhën tradicionale lidhet me fatin e mire është cilësuar nga shumë liderë konservatorë si provokim politik, veçanërisht përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2026.

Mes të tjerëve, Eduardo Bolsonaro, djali i ish-presidentit Jair Bolsonaro, publikoi një video ku hedh një palë “Havaianas” në kosh, duke i cilësuar ato si “jo më simbol kombëtar” dhe duke ftuar mbështetësit e tij të bojkotojnë markën. Shumë politikanë dhe influencerë të së djathtës kanë njoftuar gjithashtu se do të zgjedhin alternativa të tjera për shapkat.

Nga ana tjetër, figura të së majtës kanë kritikuar reagimet, duke e quajtur të ekzagjeruar bojkotin dhe duke paralajmëruar për rrezikun që mund të ketë mbi vendet e punës, sidomos në Minas Gerais, ku ndodhet një nga fabrikat kryesore të “Havaianas”.

Kjo ngjarje tregon polarizimin e madh politik në Brazil, ku edhe fushatat reklamues mund të shndërrohen në tema të debatit ideologjik. “Havaianas” është një nga markat më të suksesshme në botë, me 226,6 milion palë të shitura në vitin 2024. Kompania që I prodhon, Alpargatas, ka 10.000 punonjës. Deri tani, kompania ka zgjedhur të qëndrojë e heshtur ndaj polemikave.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)