Ardian Gjini është zgjedhur kryetar i ri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e Përgjithshëm të partisë, duke marrë zyrtarisht drejtimin pas 26 viteve që në krye të saj ishte Ramush Haradinaj. Në fjalimin e tij para delegatëve, Gjini premtoi vazhdimin e rrugës politike të ndërtuar ndër vite nga Haradinaj, ndërsa e cilësoi atë simbol të lirisë dhe të shtetndërtimit të Kosovës.
Gjini, i cili njëkohësisht është edhe i nominuari i AAK-së për kryeministër, tha se ndihet i nderuar për besimin që i është dhënë nga partia.
“Është krenari me qenë një prej jush, është krenari me qenë pjesë e kësaj partie kaq të jashtëzakonshme, e njerëzve kaq të jashtëzakonshëm. Shumë faleminderit secilit prej jush. Jam i emocionuar, sikur secili prej jush”, deklaroi ai.
Në fjalimin e tij, ai foli edhe për sakrificën dhe idealizmin në politikë, duke vlerësuar luftëtarët e lirisë si shembullin më të lartë të shërbimit ndaj vendit.
“Luftëtarët e lirisë janë shembulli i vërtetë i altruizmit, ata që kanë dhënë gjithçka pa e ditur çfarë marrin në këmbim”, tha Gjini.
Kryetari i ri i AAK-së kërkoi mbështetjen e qytetarëve për vazhdimin e projektit politik të partisë pas Haradinajt.
“Po e lypim besimin tuaj mbas Ramush Haradinajt. Ai nuk ka qenë vetëm kryetar partie, është simbol i Kosovës, simbol i lirisë dhe i politikës së mençur që ka ndodhur në Kosovë për më shumë se 30 vjet. Jam absolutisht i bindur që historia e Kosovës dhe e Ramush Haradinajt do të shkruhet me shkronja të arta. Ekziston veç një njeri të cilin unë me 100% bindje e kam thirrur komandant, kryetar dhe kryeministër, dhe je ti. Për 26 vite shërbim, nuk do ta ndërroja asnjë minutë të vetëm të kësaj pune. Faleminderit kryetar”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Ramush Haradinaj mbajti fjalimin e fundit si kryetar i AAK-së, duke deklaruar se angazhimi i tij për Kosovën do të vazhdojë edhe pas largimit nga drejtimi i partisë.
“Që nga mosha e re, fëmijë e deri në 31 vjeç, shërbimin ndaj atdheut e kam bërë si shërbim për çlirim. Kam pas nderin të jem ushtar dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Faleminderit për jetë, faleminderit bashkëluftëtarë. Nga sot do të vazhdoj t’i shërbej Kosovës si njëri nga ne, si njëri nga ju. Shërbimi për Kosovën, shërbimi ndaj kombit nuk përfundon kurrë. Përjetë Aleancë”, deklaroi Haradinaj.
Ai pati edhe një apel për qytetarët dhe diasporën, duke kërkuar mbështetje për politika që, sipas tij, forcojnë ekonominë dhe sigurinë e vendit.
“Votoni për energji tonën e jo të armiqve tonë, votoni për energji që e prodhojmë në Kosovë. 14 miliardë qymyr i kemi në vend dhe i japim miliarda armiqve tonë, mos lejoni të vazhdojë kjo më ju lutem. Mos votoni askënd që e rrezikon aleancën me Amerikën dhe sigurinë e Kosovës”, tha ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)