Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut duket se janë më pranë realizimit të kërkesës së tyre për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Pas reagimeve dhe dy protestave masive në Shkup, kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se shumë shpejt mund të gjendet një zgjidhje që, sipas tij, do të jetë e pranueshme për të gjitha palët.
Duke folur nga kisha “Shën Sofia” në Ohër, gjatë akademisë solemne për Ditën e “Shën Kirilit dhe Metodit”, Mickoski tha se është i gatshëm të diskutohet përdorimi i gjuhëve në provimin e jurisprudencës, por insistoi që debati të zhvillohet “në prizmin e duhur”.
“Sado që të ketë politikë dhe interesa në prapavijë në imponimin e temës për përdorimin e gjuhëve në dhënien e provimit të jurisprudencës, unë jam i gatshëm dhe në mënyrë të caktuar më vjen mirë që përfundimisht mund të flasim për arsim, por bisedat patjetër duhen vendosur në prizmin e duhur. Unë jam i gatshëm të ndihmoj në çdo proces që do të nënkuptonte arsim më të mirë dhe më të fortë. Konsideroj se dera e mundësive dhe dalje e shpëtimi i çdokujt është pikërisht arsimi i fortë. Kjo na bën më të fortë. Kjo mund ta ndërtojë të ardhmen tonë. Shansi i vetëm për sukses është mësimi, përkushtimi dhe hapja e perspektivave të reja”, deklaroi kryeministri maqedonas.
Ai tha gjithashtu se nuk sheh pengesa për avancimin e të drejtave gjuhësore të komuniteteve, për aq kohë sa respektohen Kushtetuta dhe ligjet e vendit.
“Nuk kam asnjë pengesë të flitet për temat që sot janë aktuale dhe çdo komunitet ta ketë të drejtën të përparojë dhe përdorë gjuhën e tij, kuptohet derisa kjo është në kornizë të Kushtetutës, ligjeve, dhe derisa respektohet vula jonë identitare – gjuha maqedonase. Andaj shumë shpejt do të vijmë në një zgjidhje që të gjithë duhet ta mbështesim dhe që do t’i kapërcejë mbi interesat dhe tendencat individuale partiake dhe ndoshta politike që të ngecim edhe në një grackë nacionaliste, e historia na mëson se të tilla gracka janë metoda më e mirë e atyre që kanë interesa personale kriminale ose të tjera dhe që rregullisht fshihen prapa temave të këtilla, që janë mbulesë e qëllimeve të vërteta që të keqpërdoret bashkëjetesa dhe të krijohen pengesa”, tha Mickoski.
Studentët shqiptarë në Shkup prej dy vitesh kërkojnë të drejtën për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e konsideruar këtë si të drejtë kushtetuese dhe pjesë të barazisë institucionale në vend.
Ndërkohë, protestat e mëdha të organizuara më 6 prill dhe 18 maj e kanë kthyer këtë kërkesë në një kauzë më të gjerë qytetare. Studentët i kanë cilësuar tubimet e tyre si amanet nga të parët për një përfaqësim dinjitoz dhe me respekt të shqiptarëve, të cilët në Maqedoninë e Veriut konsiderohen popull shtetformues.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)