Ambasadori rus në Tiranë është thirrur për shpjegime nga ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, pas goditjes nga ana e Rusisë në Kiev të kompleksit ku ndodhet ambasada shqiptare. Vetë ministri i MEPJ-së, Ferit Hoxha shkruan në rrjtet socile se jeta e ambasadorit shqiptar në Ukrainë është vënë në rrezik dhe kjo është e papranueshme!
REAGIMI I MINISTRIT FERIT HOXHA
Shqipëria dënon me forcë një tjetër sulm brutal në shkallë të gjerë me raketa balistike dhe dronë të nisur mbrëmjen e fundit nga Rusia ndaj objektivave civile në Ukrainë, në një shpërfillje totale të jetës dhe dinjitetit njerëzor.
Këtë herë u godit kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, duke e vënë jetën e tij në rrezik serioz. Kjo është e papranueshme!
Targetimi i zonave civile dhe vënia në rrezik e personelit diplomatik përfaqëson një përshkallëzim të rëndë dhe një tjetër kujtesë të zymtë të kostos njerëzore të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë.
Kjo luftë e zgjedhur nga Rusia ka zgjatur shumë gjatë. Për më shumë se katër vjet që nga pushtimi i paligjshëm në shkallë të gjerë, Rusia ka targetuar pa pushim infrastrukturën energjetike, shkollat, spitalet dhe shtëpitë në të gjithë Ukrainën. Megjithatë, ajo nuk ka arritur të thyejë guximin, vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe forcën e popullit ukrainas.
Rusia nuk po fiton; ajo vetëm po vret, po nxit vuajtje dhe shkatërrim.
Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj Rusisë që të ndërpresë menjëherë këto sulme, t'i japë fund luftës kundër Ukrainës, të respektojë plotësisht ligjin ndërkombëtar dhe të kthehet në negociata.
Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë fort pranë Ukrainës dhe përsërit mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ata që janë përgjegjës për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës.
Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri është thirrur për shpjegime.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)