Konferenca ndërqeveritare me BE, Rama: Molotovarët u lëshuan rrugëve për të djegur Shqipërinë

Nga Tokio ku ndodhet për vizitë zyrtare, kryeministri Edi Rama e quajti një gur tjetër konferencën ndërqeveritare Shqipëri- Bashkimi Europian më 26 maj, duke akuzuar opozitën se u lëshua rrugëve për të djegur Shqipërinë.

24.05.2026. 11:05

Konferenca ndërqeveritare me BE, Rama: Molotovarët u lëshuan rrugëve për të djegur Shqipërinë

Nga Tokio ku ndodhet për vizitë zyrtare, kryeministri Edi Rama e quajti një gur tjetër konferencën ndërqeveritare Shqipëri- Bashkimi Europian më 26 maj, duke akuzuar opozitën se u lëshua rrugëve për të djegur Shqipërinë. 

"Por, ashtu siç dhe dihej, shënimi i shënimeve është ai që lidhet me ballafaqimin mes Komisionit Europian dhe shteteve anëtare në Bruksel, për raportin e detyrave të kryera nga Shqipëria pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave. Ai ballafaqim mori kohën e vet, në ndërkohë që “molotovarët” e Tiranës u lëshuan të dëshpëruar në një ofensivë të pashoqe energjie negative, u lëshuan rrugëve për ta djegur medoemos Shqipërinë në sytë e botës, gëzonin si fëmijët kur fotot e kazanëve me flakë apo të molotovëve e flakadanëve që hidheshin nëpër Tiranë bënin xhiro në median e botës. Mblidh benzinë e hidh bombë artizanale me vandalë të paguar, u lëshuan po ashtu kanaleve e portaleve të Shqipërisë për t’i helmuar shqiptarët. Mblidh e hidh jargë urrejtjeje politike, pasqyrë më pasqyrë, u lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi proverbial krejt edhe ajo çka ndodhi me të ashtuquajturën vizitë treditore në Ministrinë e Jashtme në Berlin.

Në fakt, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë, kudo ku ishte e mundur, mblidhu e hidhu lart e poshtë për të kërkuar ndëshkim, bllokim, izolim për Shqipërinë, duke lënë kokrrën e namit si asnjë opozitë tjetër në historinë e integrimeve europiane të vendeve që sot janë pjesë e Bashkimit Europian apo synojnë të bashkohen me të. Thanë se rruga europiane ishte e bllokuar, thanë se Shqipëria ishte më në fund e ndëshkuar, thanë se qeveria jonë ishte krejt e izoluar", tha Rama. 

Ai shtoi se vuloset përmbyllja me sukses e fazës hyrëse duke hapur fazën përfundimtare të negociatave me Bashkimin Europian.

"U gënjyen, u gënjyen, se gjithnjë nga ajo mendja e tyre e cekët dhe e mbrapshtë dhe, në fund, në fund, humbën me turp dhe Shqipëria fitoi përsëri me mund, me dinjitet dhe me krenari. Kështu, më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian vulos përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe hap fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kemi ngjitur një tjetër lartësi të vështirë drejt majës, ku do të arrijmë me çdo kusht brenda kësaj dekade dhe ku do të vendosim flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit aty, në oborrin e shtëpisë së madhe të Europës së Bashkuar", vijoi Rama.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)