Tirana notë verbale Rusisë për sulmin ndaj kompleksit ku banon ambasadori shqiptar, reagon edhe BE

Një sulm masiv me dronë dhe raketa nga Rusia ndaj Kievit ka përshkallëzuar tensionet diplomatike mes Shqipërisë dhe Federatës Ruse, pasi gjatë bombardimeve u godit kompleksi rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Ukrainë, Ernal Filo.

24.05.2026. 20:59

Tirana notë verbale Rusisë për sulmin ndaj kompleksit ku banon ambasadori shqiptar, reagon edhe BE

Pas një nate të mbushur me shpërthime, dronë dhe raketa mbi Kiev, tensionet diplomatike mes Shqipërisë dhe Rusisë janë përshkallëzuar ndjeshëm. Qeveria shqiptare thirri këtë të diel ambasadorin e Federatës Ruse në Tiranë, Alexey Zaitsev, për t’i dorëzuar një notë verbale proteste pas sulmit që preku kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Ukrainë, Ernal Filo.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e cilësoi incidentin “plotësisht të papranueshëm”, duke theksuar se sulmi ka cenuar seriozisht sigurinë dhe jetën e diplomatit shqiptar. Në reagimin zyrtar thuhet se ngjarja bie ndesh me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe me detyrimet ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e personelit diplomatik.

Gjatë takimit me ambasadorin rus, pala shqiptare ka kërkuar që mesazhi i protestës t’u përcillet autoriteteve ruse dhe bëri thirrje për respektimin e normave ndërkombëtare.

Ndërkohë vetë ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo, ka folur për mediat duke përshkruar orët dramatike të sulmit.

“Sulmi ka filluar në orën 22:00 të mbrëmjes së kaluar dhe ka zgjatur deri në orën 06:30 të mëngjesit. Ishte një nga sulmet më të forta që ka ndodhur qëkur kemi hapur ambasadën vitin e kaluar me dronë dhe raketa nga më të ndryshmet, Iskander, Zirkon… deri tek Oreshnik. Ka qenë një sulm masiv që ka vazhduar për orë të tëra”, deklaroi Filo.

Reagim të ashpër pati edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili përmes një postimi në rrjetin X dënoi sulmet ruse ndaj objektivave civile në Ukrainë dhe goditjen e kompleksit ku jeton ambasadori shqiptar.

“Shqipëria dënon me forcë një tjetër sulm brutal dhe pa dallim në shkallë të gjerë me raketa balistike dhe dronë të nisur mbrëmë nga Rusia kundër objektivave civilë në Ukrainë, në një shpërfillje totale për jetën njerëzore dhe dinjitetin themelor njerëzor. Këtë herë, kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë u godit, duke e vënë jetën e tij në rrezik serioz. Kjo është e papranueshme”, shkroi Hoxha.

Ministri shqiptar e konsideroi sulmin si një tjetër dëshmi të kostos njerëzore të luftës në Ukrainë dhe akuzoi Rusinë për sulme të vazhdueshme ndaj infrastrukturës civile.

“Synimi ose rrezikimi i zonave civile dhe personelit diplomatik përfaqëson një përshkallëzim të rëndë dhe një tjetër kujtesë të zymtë të kostos njerëzore të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë. Për më shumë se katër vjet që nga pushtimi i saj i paligjshëm në shkallë të plotë, Rusia ka synuar pa pushim infrastrukturën energjetike, shkollat, spitalet dhe shtëpitë në të gjithë Ukrainën”, u shpreh ai.

Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë reagoi pas ngjarjes, duke dënuar sulmin rus dhe duke shprehur solidaritet me Shqipërinë dhe Ukrainën.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian dënon me forcën më të madhe sulmin me dronë dhe raketa të kryer gjatë natës nga Rusia ndaj Kievit, i cili shkaktoi disa viktima dhe goditi gjithashtu rezidencën e Ambasadorit të Shqipërisë në Ukrainë, duke vënë në rrezik jetën e tij. Ky sulm i papërgjegjshëm na kujton edhe një herë brutalitetin e luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Ne qëndrojmë në solidaritet me Ukrainën dhe Shqipërinë”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)