Michael Schumacher kryeson listën e pilotëve më të paguar në historinë e Formula 1, duke konfirmuar statusin e tij legjendar jo vetëm në pista, por edhe në aspektin financiar.
Sipas një renditjeje të publikuar nga Racing News 365, shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 ka një pasuri neto të vlerësuar rreth 790 milionë dollarë, që përkthehet në mbi 670 milionë euro. Gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme, piloti gjerman regjistroi 91 fitore në gara dhe fitoi shtatë tituj botërorë, duke u bërë një nga figurat më të mëdha të historisë së këtij sporti.
Megjithëse prej vitesh është larg syrit të publikut, Schumacher mbetet një emër i pazëvendësueshëm në botën e Formula 1. Ai u plagos rëndë në një aksident gjatë skijimit në Meribel të Francës, ku qëndroi për disa muaj në koma. Që prej asaj kohe, familja ka ruajtur një diskrecion të rreptë mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Në vendin e dytë të listës renditet Lewis Hamilton, po ashtu shtatë herë kampion bote, me një pasuri neto të vlerësuar rreth 304 milionë dollarë, ose mbi 258 milionë euro. Ndërsa podiumin e pilotëve më të pasur të historisë së Formula 1 e plotëson Fernando Alonso. Piloti spanjoll, aktualisht pjesë e Aston Martin, ka një pasuri të vlerësuar rreth 264 milionë dollarë, mbi 224 milionë euro.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)