Policia në Meksikë është vënë në ndjekje të 23 të burgosurve që u arratisën nga një burg në Puerto Vallarta, gjatë një vale sulmesh të ndërmarra nga karteli i fuqishëm Jalisco Neë Generation Cartel.
Sulmet shpërthyen pasi forcat e sigurisë vranë liderin e kartelit, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, një nga personat më të kërkuar në vend. Si reagim, anëtarë të armatosur të kartelit bllokuan rrugë, dogjën automjete dhe përhapën panik në disa zona, përfshirë qytetin turistik bregdetar.
Gjatë trazirave, persona të armatosur përplasën një makinë në portën e burgut, duke krijuar mundësinë për arratisjen e 23 të dënuarve. Autoritetet nuk kanë bërë ende publike identitetet e tyre.
Sipas zyrtarëve, mbi 70 persona, mes tyre 25 anëtarë të Gardës Kombëtare, humbën jetën gjatë operacionit për kapjen e El Menchos dhe dhunës që pasoi.
Sekretari i Sigurisë në shtetin Jalisco tha se autoritetet po bashkëpunojnë me shtete të tjera për të kapur të arratisurit. Ndërkohë, turistët dhe banorët u këshilluan të qëndrojnë brenda, ndërsa disa linja ajrore pezulluan fluturimet dhe anije turistike anuluan ndalesat.
Qeveria njoftoi se shumica e bllokadave janë hequr, por tensionet vijojnë në disa zona të tjera të vendit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)