Një gabim tronditës i policisë në Britani ka sjellë pasoja dramatike për dy familje, pasi autoritetet ngatërruan identitetin e një adoleshenti të vrarë në një aksident automobilistik me atë të një miku të tij të plagosur rëndë. Për pasojë, një familje u informua gabimisht se djali i tyre kishte vdekur, ndërsa një familje tjetër u mbajt për javë të tëra me bindjen se djali i tyre ishte gjallë dhe po kurohej në spital.
Aksidenti ndodhi më 13 dhjetor pranë Rotherham, kur një automjet Toyota doli nga rruga dhe u përplas me një pemë. Dy adoleshentë, përfshirë edhe një vajzë 17-vjeçare, humbën jetën, ndërsa një i tretë u dërgua në spital. Policia e South Yorkshire njoftoi fillimisht se 17-vjeçari Trevor Wynn kishte ndërruar jetë në vendngjarje.
Megjithatë, pas ngritjes së dyshimeve këtë fundjavë, u krye një proces i ri identifikimi me përfshirjen e ekspertizës mjekoligjore. Hetimet zbuluan se Trevor Wynn ishte në fakt gjallë dhe po trajtohej në spital, ndërsa viktima e vërtetë ishte 18-vjeçari Joshua Johnson, familja e të cilit ishte informuar gabimisht se ai ndodhej në spital.
Shefi ndihmës i policisë, Colin McFarlane, kërkoi ndjesë publike për gabimin e rëndë, duke e cilësuar situatën si një traumë shtesë për familjet. Ai njoftoi se çështja është referuar pranë Zyrës së Pavarur për Sjelljen e Policisë, e cila do të hetojë procesin e identifikimit.
Ndërkohë, dy persona, një 18 dhe një 19-vjeçar, janë arrestuar në lidhje me aksidentin dhe janë aktualisht në liri me kusht, ndërsa hetimet vijojnë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)