Tjetër mocion mosbesimi për Von der Leyen në PE, i katërti në 6 muaj

Ursula von der Leyen pritet të përballet me mocionin e katërt të mosbesimit ndaj saj brenda 6 muajsh. Nisma është depozituar nga ekstremistët e “Patriotët për Evropën”.

Burimi: Euronews

14.01.2026. 19:29

Tjetër mocion mosbesimi për Von der Leyen në PE, i katërti në 6 muaj

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të përballet sërish me një mocion mosbesimi në Parlamentin Evropian. Nisma e re pritet të diskutohet e të hidhet në votim javën e ardhshme gjatë seancës plenare në Strasburg.

Drejtuesja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola ka informuar tashmë drejtuesit e grupeve politike për paraqitjen e mocionit duke hapur rrugën për debat institucional mbi drejtimin e Komisionit Evropian.

Ky është mocioni i katërt i mosbesimit ndaj Ursula von der Leyen dhe Komisionit që ajo drejton brenda 6 muajve të fundit, çka tregon një rritje të tensioneve politike në Parlamentin Evropian.

Nisma është depozituar nga grupi i ekstremit të djathtë “Patriotët për Evropën”, i cili e ka kritikuar ashpër von der Leyen, veçanërisht për marrëveshjen tregtare të Bashkimit Evropian me vendet e Mercosur-it, përfshirë Brazilin, Argjentinën, Uruguain dhe Paraguain. Sipas këtij grupi, marrëveshja rrezikon interesat e fermerëve dhe ekonomive evropiane.

Në grupin “Patriotët për Evropën” bëjnë pjesë edhe eurodeputetë nga Tubimi Kombëtar i Francës, i udhëhequr nga Marine Le Pen, si dhe përfaqësues nga partia e kryeministrit hungarez Viktor Orbán.

Sipas rregullores së Parlamentit Evropian, që një mocion mosbesimi të shqyrtohet dhe të hidhet në votim, ai duhet të mbështetet nga të paktën 10% e eurodeputetëve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)