Në Milano u zhvillua një protestë e dhunshme kundër Lojërave Olimpike Milano-Cortina. Marshimi nisi nga Porta Romana me mbi 3 mijë pjesëmarrës dhe pritej të rritej gjatë rrugës. Në krye të protestës ishte një pankartë me mesazhin: “Ta rimarrim qytetin, t’i çlirojmë malet”, që shpreh kundërshtimin ndaj ndikimit mjedisor dhe urban të Olimpiadës.
Kur protesta arriti në zonën e Corvetto-s, një grup manifestuesish të maskuar u shkëput nga turma dhe u drejtua nga Tangjencialja Lindore, duke hedhur shishe, fishekzjarrë dhe mjete piroteknike drejt policisë. Forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës dhe uji me presion. Të paktën pesë protestues u ndaluan dhe u shoqëruan në komisariat pas përplasjeve. Pas tensioneve, protesta rifilloi dhe vazhdoi nëpër disa rrugë të tjera të qytetit.
Para nisjes së marshimit, aktivistët organizuan një instalacion simbolik, duke ngritur pemë prej kartoni për të protestuar kundër prerjes së mbi 500 pemëve në Cortina për ndërtimin e pistës. Gjatë ditës pati edhe aksione simbolike pranë Fshatit Olimpik, me pankarta në mbështetje të atletëve transgjinorë dhe kundër përjashtimit të tyre nga garat.
U shfaqën gjithashtu pankarta kundër pranisë së agjencisë amerikane ICE në masat e sigurisë dhe slogane kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Lojërat Olimpike, duke e cilësuar këtë si një shenjë të dështimit të sistemit olimpik.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)