“Jemi në krah të popullit”, PE i mbyll dyert zyrtarëve iranianë

Dhuna ndaj protestuesve ka detyruar presidenten e PE, Metsola që të ndalojë hyrjen në ambientet e këtij institucioni të çdo përfaqësuesi të regjimit të Republikës Islamike të Iranit.

12.01.2026. 18:21

“Jemi në krah të popullit”, PE i mbyll dyert zyrtarëve iranianë

Parlamenti Evropian ka vendosur që të mos lejojë në ambientet e tij asnjë përfaqësues apo diplomat nga Republika Islamike e Iranit, pas dhunës që regjimi ka ushtruar ndaj protestuesve, të cilët prej ditësh kanë zaptuar sheshet kryesore të qyteteve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, presidentja e PE, Roberta Metsola njoftoi vendimin e marrë dhe shtoi se Evropa do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e popullit iranian për lirinë dhe të drejtat e tij.

“Ndërsa populli i guximshëm i Iranit vazhdon betejën për të drejtat dhe lirinë, sot vendosa të ndaloj hyrjen në të gjitha ambientet e Parlamentit Europian për të gjithë personelin diplomatik dhe çdo përfaqësues tjetër të Republikës Islamike të Iranit”, shkruan Metsola.

Mes të tjerash, Metsola akuzoi qeverinë e Iranit se vijon të qëndrojë në pushtet përmes torturës, represionit dhe vrasjeve.

Populli iranian prej ditësh ka dalë në rrugë për të protestuar kundër regjimit, pas rënies së ndjeshme të monedhës vendase përballë dollarit.

Protestat tashmë janë kthyer të dhunshme, ku të dhëna ende jo zyrtare flasin për mbi 500 të vrarë dhe mijëra të arrestuar.

Qeveria iraniane ka deklaruar se do të shtojë presionin ndaj protestuesve, teksa një reagim të fortë ka pasur dhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili nuk ka përjashtuar dhe mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në ndihmë të popullit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)