Ukraina dhe Rusia ulen sërish në një tryezë, Zelensky: Negociatat rifillojnë më 4 shkurt në Abu Dhabi

Më 4 shkurt në Abu Dhabi do të rifillojnë negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës për një marrëveshje paqeje, nën konsulencën e amerikanëve.

01.02.2026. 13:39

Ukraina dhe Rusia ulen sërish në një tryezë, Zelensky: Negociatat rifillojnë më 4 shkurt në Abu Dhabi

Negociatat e drejtpërdrejta midis Kievit, Moskës dhe Uashingtonit, si pjesë e përpjekjeve për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, do të rifillojnë të mërkurën e 4 shkurtit, në Abu Dhabi.

Kështu njoftoi të dielën Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përmes një postimi në platformën ‘X’. “Datat e takimeve të ardhshme trepalëshe janë caktuar: 4 dhe 5 shkurt në Abu Dhabi. Ukraina është gati për një diskutim të thelluar dhe shpresojmë që rezultati i negociatave do të na afrojë më shumë drejt një përfundimi të vërtetë të luftës", shkroi Zelensky.

Konfirmimi i datave nga presidenti ukrainas vjen 24 orë pasi ai tha se Kievi po përgatitej për takime javën e ardhshme që do të çojnë përpara negociatat, ndërsa një takim fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej sot, në Abu Dhabi.

Më 23 dhe 24 janar, u zhvillua një raund i parë negociatash në Abu Dhabi në prani të përfaqësuesve ukrainas, rusë dhe amerikanë. Ato ishin negociatat e para të drejtpërdrejta që janë bërë të njohura midis Kievit, Moskës dhe Uashingtonit në lidhje me planin e SHBA-së për t'i dhënë fund luftës.

Në të njëjtën kohë, i dërguari i Kremlinit për çështjet ekonomike, Kirill Dmitriev, u takua dje, në Florida me të dërguarin special të SHBA-së Steve Witkoff, Sekretarin e Thesarit Scott Bessant dhe dhëndrin e presidentit amerikan, Jared Kushner.

Ky takim i ri, i cili u zhvillua si pjesë e ndërmjetësimit të Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për t'i dhënë fund luftës, ishte "konstruktiv", thanë të dyja palët, pa hyrë në detaje rreth përmbajtjes së diskutimeve.

Bisedimet për të gjetur një zgjidhje diplomatike për luftën që shpërtheu me pushtimin rus të Ukrainës në shkurt 2022 mbeten shumë të vështira.

Ato janë veçanërisht të prekura nga çështja territoriale. Rusia kërkon që forcat ukrainase të tërhiqen nga zonat e rajonit të Donetskut që ato ende i kontrollojnë.

Kremlini tha të premten se po pezullonte sulmet ndaj qytetit të Kievit deri më 1 shkurt, me kërkesë të Donald Trump, me qëllim që të "krijonte kushte të favorshme për negociata".

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)