Spanja ka reaguar ndaj kritikave të presidentit amerikan Donald Trump për shpenzimet e mbrojtjes dhe kërcënimit të tij për të rishikuar marrëdhëniet tregtare, duke theksuar se është “një partner i besueshëm”.
Në një deklaratë zyrtare, qeveria spanjolle mbrojti rolin e saj në NATO, duke theksuar se përmbush angazhimet dhe jep një kontribut të rëndësishëm në mbrojtjen e territorit evropian. Spanja u vetëpërshkrua si një partner i besueshëm për 195 vende të botës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.
Reagimi erdhi pasi Trump kritikoi nivelin e shpenzimeve të mbrojtjes së Spanjës dhe paralajmëroi mundësinë e kufizimit të marrëdhënieve tregtare me Madridin.
Autoritetet spanjolle theksuan se nëse administrata amerikane dëshiron të rishikojë raportet tregtare, kjo duhet të bëhet “me respekt për autonominë e kompanive private, për të drejtën ndërkombëtare dhe për marrëveshjet dypalëshe mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-së”.
Qeveria shtoi se vendi ka burimet e nevojshme për të përballuar çdo ndikim të mundshëm ekonomik, për të mbështetur sektorët që mund të preken dhe për të diversifikuar zinxhirët e furnizimit.
Spanja theksoi se do të vazhdojë të punojë për tregti të lirë dhe bashkëpunim ekonomik mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe zbatimit të ligjit ndërkombëtar, duke nënvizuar se qytetarët meritojnë “më shumë prosperitet, jo më shumë probleme”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)