Policia hyn mes turmës dhe arreston protestuesit, lëndohen disa deputetë

Protesta e kombëtare e opozitës këtë të premte u shoqërua me tensione të forta dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, duke lënë pas disa të lënduar dhe të shoqëruar nga policia.

17.04.2026. 22:20

Policia hyn mes turmës dhe arreston protestuesit, lëndohen disa deputetë

Protesta e kombëtare e opozitës këtë të premte u shoqërua me tensione të forta dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, duke lënë pas disa të lënduar dhe të shoqëruar nga policia.

Tubimi nisi rreth orës 19:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim me tone të forta kundër qeverisë. Ai e cilësoi opozitën si alternativën e vetme për vendin. “Sot ne mblidhemi këtu jo vetëm si një alternativë e shkëlqyer politike, sot ne mblidhemi këtu në këtë protestë madhështore si shpresa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i Edi Ramës, i bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.”

Menjëherë pas përfundimit të fjalës së tij, situata u përshkallëzua, pasi drejt Kryeministrisë u hodhën molotov dhe fishekzjarrë. Policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa disa protestues u shoqëruan në komisariat.

Si pasojë e përplasjeve, disa deputetë dhe përfaqësues të opozitës pësuan probleme shëndetësore nga gazi lotsjellës, ndërsa ish-kandidati për deputet, Aulon Kalaja, u transportua me ambulancë pasi mbeti i lënduar. Gjithashtu, raportohet edhe për një efektiv policie të plagosur gjatë tensioneve.

Pas shpërndarjes së protestës, një grup protestuesish tentoi të marshonte drejt Kuvendit, por u ndal nga një kordon i fortë policor pranë xhamisë së Namazgjasë. Forcat e rendit bllokuan rrugën dhe përdorën sërish mjete për shpërndarjen e turmës.

Në përfundim, Berisha reagoi nga selia blu duke akuzuar policinë për dhunë dhe duke paralajmëruar vijimin e protestave, ndërsa theksoi se “kryengritja paqësore nuk ndalet”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)