Kordon sigurie pranë xhamisë së Namazgjasë, policia frenon avancimin e protestuesve drejt Kuvendit

Marshimi i deputetëve demokratë dhe protestuesve ka hasur në një reagim të menjëhershëm nga forcat e policisë. Në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit, pranë xhamisë së Namazgjasë, policia ka vendosur një barrikadë të fortë sigurie për të ndaluar avancimin e protestuesve drejt godinës së Parlamentit.

17.04.2026. 21:32

Kordon sigurie pranë xhamisë së Namazgjasë, policia frenon avancimin e protestuesve drejt Kuvendit

Protesta e shtatë kombëtare e opozitës është duke u zhvilluar në kryeqytet prej orës 19:00. Pas përlasjes frontale me policinë para Kryeministrisë, ku efektivët shpërndanë turmën duke përdorur shkopa gome dhe gaz lotsjellës, për të ndalur sulmin e tyre me molotov drejt Kryeministrisë, turma është zhvendosur nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të Kuvendit.

Por ky marshim i deputetëve demokratë dhe protestuesve ka hasur në një reagim të menjëhershëm nga forcat e policisë. Në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit, pranë xhamisë së Namazgjasë, policia ka vendosur një barrikadë të fortë sigurie për të ndaluar avancimin e protestuesve drejt godinës së Parlamentit.

Efektivët kanë krijuar një kordon policor dhe kanë pozicionuar edhe mjete me ujë me presion, për të penguar çdo tentativë për të çarë drejt hyrjes së Kuvendit.

Në krye të protestuesve kanë qenë disa deputetë të Partisë Demokratike, mes tyre Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Gledion Nallbati, të cilët janë përplasur me efektivët në përpjekje për të vijuar marshimin.

Pavarësisht insistimit të protestuesve, policia nuk po lejon kalimin përtej barrikadës, duke përdorur në disa raste ujë me presion dhe spraj lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa dhjetëra efektivë të Shqiponjave janë stacionuar po ashtu pas kordonit policor.

Ndërkohë, raportohet se gjatë përplasjes tek Kryeministria një efektiv policie ka mbetur i lënduar gjatë tensioneve, duke pësuar çarje në kokë dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore.

Policia ka shoqëruar gjithashtu katër persona, të cilëve u është gjetur një çantë me molotov, ndërsa masat e sigurisë mbeten të forta.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)