Sulmohet me molotovë Kryeministria, policia futet mes turmës, disa deputetë të lënduar nga gazi lotsjellës

Reagimi i policisë ishte i menjëhershëm, pasi forcat e rendit ndërhynë duke hyrë mes turmës, përdorën shkopinj gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa disa prej tyre u shoqëruan.

17.04.2026. 21:13

Sulmohet me molotovë Kryeministria, policia futet mes turmës, disa deputetë të lënduar nga gazi lotsjellës

Përfundimi i fjalës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha në protestën e radhës kombëtare të mbajtur mbrëmjen e sotme në bulveardin “Dëshmorët e Kombit”, ka sjellë tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Nga ana e opozitës skenari ishte i njëjtë, pasi sapo Berisha mbylli fjalën, Kryeministria u sulmua me molotov dhe fishekzjarrë, por ndryse nga tubimet e mëparshme policia u përgjigj duke lëshuar gaz lotsjellës.

Reagimi i policisë ishte i menjëhershëm, pasi forcat e rendit ndërhynë duke hyrë mes turmës, përdorën shkopinj gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa disa prej tyre u shoqëruan.

Nga përplasjet raportohet për disa të lënduar në radhët e pjesëmarrësve në protestës. Raportohet se si pasojë e gazit lostsjellës të hedhur gjatë tensioneve, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka mbetur i lënduar. Po ashtu, probleme shëndetësore kanë shfaqur edhe deputetët Luçiano Boçi dhe Ivi Kaso.

Foto: Youtube/PD

Ndërkohë, ish-kandidati për deputet i PD, Aulon Kalaja, ka mbetur i lënduar dhe për disa minuta ka qëndruar i shtrirë në tokë, ndërsa është transportuar me ambulancë për ndihmë mjekësore.

Protesta, e cila ishte e shtata në rang kombëtar e organizuar nga Partia Demokratike, nisi rreth orës 19:00 dhe u karakterizua nga fjalime me mesazhe politike, përpara se situata të përshkallëzohej në përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)