Izraeli ka njoftuar se do t’u heqë lejet e aktivitetit 37 organizatave humanitare që veprojnë në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor, duke deklaruar se ato nuk kanë përmbushur kërkesat e reja të regjistrimit. Sipas autoriteteve izraelite, pezullimi i licencave do të hyjë në fuqi më 1 janar, ndërsa organizatave do t’u jepen 60 ditë për të përfunduar aktivitetet e tyre.
Mes organizatave të prekura janë disa OJQ ndërkombëtare të njohura, përfshirë ActionAid, International Rescue Committee dhe Norëegian Refugee Council. Qeveria izraelite thekson se këto organizata nuk kanë dorëzuar informacion të plotë dhe të verifikueshëm mbi stafin e tyre, çka, sipas saj, përbën rrezik sigurie.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Ministrat e jashtëm të dhjetë vendeve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Kanadanë dhe Japoninë, e cilësuan masën si të papranueshme dhe paralajmëruan se ajo do të ndikojë rëndë në ofrimin e shërbimeve jetike, veçanërisht kujdesin shëndetësor, në një situatë humanitare tashmë katastrofike në Gaza.
Nga ana e saj, Ministria izraelite e Çështjeve të Diasporës deklaroi se ndihma humanitare do të vazhdojë të hyjë në Gaza përmes kanaleve të miratuara, si agjencitë e OKB-së dhe partnerët dypalësh. Ndërkohë, forume humanitare kanë paralajmëruar se sistemi i ri i regjistrimit rrezikon seriozisht funksionimin e ndihmës humanitare në territoret palestineze.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)