Në një prej episodeve të rrallë publik të krisjes së marrëdhënieve me administratën e presidentit amerikan Donald Trump, zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu publikoi një deklaratë ku thekson se “njoftimi mbi përbërjen e Këshillit Ekzekutiv të Gazës, që i nënshtrohet Bordit të Paqes, nuk është koordinuar me Izraelin dhe bie ndesh me politikën e tij”.
Shtëpia e Bardhë ka emëruar një “Këshill Ekzekutiv” dhe një “Këshill Ekzekutiv të Gazës”, të cilët përfshijnë figura ndërkombëtare, përfshirë edhe ministrin e Jashtëm turk. Ky fakt konsiderohet një nga arsyet kryesore që nxiti deklaratën zyrtare të Netanyahu. Zyra e kryeministrit njoftoi se Netanyahu ka kërkuar nga ministri i Jashtëm, Gideon Saar të ngrejë çështjen me homologun amerikan, senatorin Marco Rubio.
Sipas raportimeve, Saar është mbajtur larg marrëdhënieve direkte SHBA–Izrael, të cilat janë menaxhuar nga zyra e kryeministrit dhe këshilltarët kryesorë. Por, më gjithë kundërshtimet e Netanyahu prej përfshirjes së Turqisë dhe Katarit, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë me planet e tyre për Bordin e Paqes dhe administrimin e situatës në Gaza.
“Nëse ai dëshiron që të merremi me Gazën, do ta bëjmë në mënyrën tonë. Le të përqendrohet te Irani dhe të na lërë ne përgjegjësinë për Gazën”, thanë burime amerikane të cituara nga “Axios”. Burimet shtuan se SHBA po i bën “nder” Netanyahu-t. “Nëse plani dështon, ai mund të thotë ‘ua kisha thënë’. Nëse ka sukses, ai do të marrë meritat. Gjatë muajve të fundit, e menaxhuam situatën ashtu si askush nuk e mendonte të mundshme, do vazhdojmë të ecim përpara”, thuhej ndër të tjera.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)