Konflikti në Lindjen e Mesme është zgjeruar edhe më tej duke përfshirë edhe të vetmin shtet të Gjirit Persik, që Irani e kishte kursyer deri më tani nga goditja me dronë dhe raketa.
Omani, i cili kishte pritur bisedimet mes iranianëve dhe SHBA-së, shprehu zhgënjimin e tij për veprimin ushtarak izraelito-amerikan në Teheran, por ky ngushëllim nuk e largoi nga rrezja e sulmeve hakmarrëse.
Katër ditë pas nisjes së konfliktit raportohet se një dron iranian është rrëzuar dhe ka shpërthyer pranë portit të Salalahut në Oman, ndërsa autoritetet konfirmojnë se nuk ka viktima nga incidenti.
Mediat shtetërore të Omanit, duke cituar burime të sigurisë, raportojnë se droni u rrëzua në afërsi të portit në Salalah. Ndërkohë, dy dronë të tjerë janë kapur dhe neutralizuar nga mbrojtja kundërajrore në provincën Dhofar.
Sipas raportimeve lokale, objektivi i dronëve dyshohet të kenë qenë cisternat e karburantit në portin tregtar Al-Duqm. Një video amatore e publikuar në rrjete sociale tregon momentin kur njëri prej dronëve përplaset në një cisternë karburanti, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm dhe flakë të mëdha.
Autoritetet në Oman nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi origjinën e saktë të dronëve apo rrethanat e plota të incidentit, ndërsa situata në rajon mbetet e tensionuar.
Në Oman ka baza ushtarake amerikane, si në pjesën dërrmuese të vendeve të tjera të rajonit.
“Jam i tronditur. Negociatat aktive dhe serioze janë minuar sërish. As interesat e Shteteve të Bashkuara dhe as kauza e paqes globale nuk shërbehen mirë nga kjo. Dhe lutem për të pafajshmit që do të vuajnë. I bëj thirrje Shteteve të Bashkuara të mos përfshihen më tej. Kjo nuk është lufta juaj”, shkroi ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi në platformën ‘X’ të shtunën në mëngjes, pasi u godit Teherani.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Iranit ka reaguar përmes zëdhënësit të saj, Esmaeil Baghaei, i cili theksoi se qeveria iraniane është e përqendruar në “mbrojtje” pas përpjekjeve të dështuara për negociata.
“Turp i përjetshëm do të mbetet mbi ata që pretenduan se ndiqnin diplomacinë, por, përballë logjikës së Iranit, u përkulën dhe iu drejtuan opsionit ushtarak”, deklaroi Baghaei.
I pyetur për përshkallëzimin e tensioneve me fqinjët rajonalë dhe akuzat për sulme ndaj infrastrukturës energjetike, ai u shpreh se Teherani e konsideron veten “të përkushtuar ndaj parimeve humanitare”.
“Regjimi sionist nuk përmbahet nga asnjë akt keqdashës. U kërkoj miqve të mi arabë të reflektojnë me kujdes. Regjimi nuk heziton të zgjerojë fushën e luftës, të njollosë reputacionin e Iranit dhe të kryejë krime në vende të tjera. Irani është aktualisht e vetmja forcë e mbetur që qëndron kundër së keqes”, shtoi ai duke lënë të kuptohet se i referohej edhe Shteteve të Bashkuara si “djalli”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)