Kaos në trafikun ajror: Mijëra fluturime të anuluara, kriza më e rëndë prej pandemisë

Vetëm në rajonin e Lindjes së Mesme, midis 28 shkurtit dhe 1 marsit, janë anuluar mbi 5,000 fluturime, duke lënë në tokë më tepër se një milion pasagjerë.

03.03.2026. 16:36

Kaos në trafikun ajror: Mijëra fluturime të anuluara, kriza më e rëndë prej pandemisë

Trafiku ajror ndërkombëtar po përballet me krizën më të madhe prej pandemisë Covid-19. Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka shkaktuar anulimin dhe vonesën e mijëra fluturimeve në mbarë botën. Sipas të dhënave nga platforma e monitorimit “FlightAware”, deri në mëngjesin e 1 marsit mbi 6,700 fluturime rezultonin me vonesë dhe rreth 1,900 ishin anuluar në nivel global.

Vetëm në rajonin e Lindjes së Mesme, midis 28 shkurtit dhe 1 marsit, janë anuluar mbi 5,000 fluturime, duke lënë në tokë më tepër se një milion pasagjerë. Ndër kompanitë që kanë pezulluar menjëherë operimet janë Emirates, Etihad Airways, Air France, British Airways, Lufthansa dhe Turkish Airlines. Sipas analizës së kompanisë “Cirium”, Emirates ka anuluar 38% të fluturimeve, Etihad 30%, ndërsa Qatar Airëays ka arritur nivelin e 41% të anulimeve.

Edhe ITA Airways ka njoftuar pezullimin e fluturimeve nga dhe drejt Tel Avivit deri më 8 mars dhe drejt Dubait deri më 4 mars. Masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe nga kompani aziatike si Cathay Pacific dhe Singapore Airlines. Mes aeroporteve më të prekura janë qendrat kryesore ndërkombëtare në Dubai, Doha dhe Abu Dhabi. Raportohet për dëme të kufizuara në disa terminale, ndërsa autoritetet po punojnë për rivendosjen graduale të operimeve.

Kompanive europiane u është rekomanduar të shmangin hapësirën ajrore mbi disa shtete të rajonit për arsye sigurie. Ndërkohë, Eurocontrol ka bërë të ditur se hapësira ajrore izraelite do të mbetet e mbyllur të paktën deri më 6 mars, megjithëse situata mbetet e paqartë dhe mund të ndryshojë. Ekspertët paralajmërojnë se rikthimi në normalitet mund të zgjasë disa ditë, pasi përveç riorganizimit të flotave ajrore, duhet garantuar edhe pushimi i detyrueshëm për pilotët dhe ekuipazhet.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)