Konflikti në Iran po jep efektet e para të drejtpërdrejta në ekonominë reale, duke shtyrë në rritje çmimet e energjisë, karburanteve, ushqimeve dhe duke ushtruar presion edhe mbi kreditë. Tregjet financiare kanë reaguar me rënie, ndërsa nafta dhe gazi kanë shënuar rritje të forta. Sinjali më i fortë vjen nga tregu i gazit natyror. Në bursën e Amsterdamit, çmimi ka kaluar 60 euro për megavat/orë, duke arritur deri në 63,49 euro. Bëhet fjalë për një rritje prej 41% dhe ky është niveli më i lartë që nga gushti 2022.
Sipas analistëve, rritja lidhet me pasiguritë mbi eksportet nga Katari dhe me tensionet në Ngushticën e Hormuzit, një nyje kyçe për furnizimin global me energji. Aktualisht ajo është e mbyllur prej luftës. Rreth 36% e gazit që kalon nëpër këtë korridor energjetik përfundon në Itali. Edhe nafta Brent ka kaluar 73 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në shtatë muajt e fundit, duke reflektuar frikën e tregjeve për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Rritja e çmimit të naftës përkthehet menjëherë në çmime më të larta të benzinës dhe naftës për automjetet. Si pasojë, shtohen kostot e transportit për bizneset, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e produkteve ushqimore dhe mallrave të tjera të konsumit. Të ashtuquajturat “produkte të shportës” bëhen më të shtrenjta për familjet.
Sipas analizave të publikuara, konflikti në Iran do të sjellë një kosto shtesë mesatare prej 166 eurosh në vit për familjet europiane. 3/4 e kësaj kostoje lidhet me gazin për ngrohje dhe gatim, ndërsa 1/4 e rritjes së faturës prek energjinë elektrike. Rritja e çmimeve të energjisë po ushqen edhe inflacionin. Sipas vlerësimeve paraprake, indeksi i çmimeve të konsumit është rritur me 0,8% në baza mujore dhe 1,6% në bazë vjetore. Nëse trendi i rritjes së gazit dhe naftës vazhdon, presioni mbi çmimet mund të forcohet më tej.
Inflacioni më i lartë mund të ndikojë edhe në normat e interesit të kredive, duke rënduar kostot e kredive hipotekore për familjet. Në përmbledhje, zinxhiri është i qartë: lufta ndikon te energjia, energjia rrit inflacionin dhe inflacioni prek drejtpërdrejt koston e jetesës. Një efekt domino që nis nga tregjet globale dhe përfundon në xhepat e familjeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)