Iran, goditet selia e organit që do të zgjedhë Udhëheqësin e ri Suprem

Sipas portalit amerikan Axios, një zyrtar i mbrojtjes izraelite ka deklaruar se sulmi ka ndodhur pikërisht gjatë procesit të votimit për liderin e ri.

03.03.2026. 17:45

Iran, goditet selia e organit që do të zgjedhë Udhëheqësin e ri Suprem

Selia e Asamblesë së Ekspertëve në Qom është goditur nga një sulm me raketa, raportoi agjencia iraniane “Tasnim”. Sipas të njëjtit burim, një natë më parë ishte marrë në shënjestër edhe selia e këtij organi në Teheran, nga sulmet ajrore të përbashkëta të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

Kanale në Telegram raportojnë për të vdekur dhe të plagosur mes disa anëtarëve të këshillit, por deri më tani nuk ka konfirmime zyrtare për viktima. Nuk dihet gjithashtu sa prej 88 anëtarëve të organit ndodheshin brenda godinës në momentin e sulmit. Nuk mund të flitet me saktësi as për shkallën e dëmeve materiale. Asambleja e Ekspertëve është institucioni i Republikës Islamike i ngarkuar me zgjedhjen e Udhëheqësit Suprem.

Pas vdekjes së Ali Khamenei gjatë sulmeve të së shtunës, anëtarët e saj kishin nisur mbledhjet për të zgjedhur pasuesin. Sipas portalit amerikan Axios, një zyrtar i mbrojtjes izraelite ka deklaruar se sulmi ka ndodhur pikërisht gjatë procesit të votimit për liderin e ri. “Donim t’i pengonim të zgjidhnin një udhëheqës të ri suprem”, citohet të ketë thënë ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)