Shtetet e Gjirit mund të përballen me vështirësi serioze për të mbrojtur hapësirën e tyre ajrore nga sulmet iraniane nëse ritmi aktual i goditjeve vazhdon për më shumë se një ose dy javë. Kështu vlerësojnë ekspertë të sigurisë, të cilët paralajmërojnë për rrezikun e mungesës së municioneve të avancuara të mbrojtjes ajrore.
Pas raportimeve të Bloomberg se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari po punojnë me shpejtësi për të forcuar mbrojtjen ajrore, të dy vendet deklaruan se sistemet e tyre nuk janë shteruar dhe mbeten të mirëfurnizuara.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Emirateve, deri tani janë interceptuar 169 nga 182 raketa të zbuluara dhe janë rrëzuar 645 dronë, ndërsa 44 kanë goditur territorin e vendit. Katari raportoi se ka ndalur 101 nga 104 raketa dhe ka rrëzuar 24 nga 39 dronë.
Megjithatë, Jean-Loup Samaan nga Instituti i Lindjes së Mesme në Universitetin Kombëtar të Singaporit tha për CNN se, me intensitetin aktual, Emiratet nuk mund të mbështeten vetëm në kapacitetet ekzistuese për më shumë se një ose dy javë. Edhe Shashank Joshi, redaktor i mbrojtjes në “The Economist”, paralajmëroi për mungesa serioze të municioneve më të avancuara pas rreth një jave të tjera me të njëjtin ritëm.
Ndërkohë, Hasan Alhasan nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike sugjeroi se shtetet e Gjirit mund të kalojnë nga një qasje mbrojtëse në një pozicion më ofensiv nëse aktivizojnë plotësisht forcat e tyre ajrore moderne.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)