Ushtria izraelite ka deklaruar se ka vrarë një komandant të lartë të Forcës Quds të Iranit në një sulm në Teheran.
Sipas ushtrisë izraelite, është vrarë Daoud Ali Zadeh, i përshkruar si “komandant i përkohshëm” i Korpusit të Libanit të Forcës Quds dhe si komandanti iranian me gradën më të lartë përgjegjës për Libanin. Paraardhësi i tij, Hassan Mahdavi, ishte vrarë më herët në një tjetër sulm të IDF-së, sipas ushtrisë.
CNN nuk ka mundur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim dhe Irani nuk ka komentuar mbi të.
Forca Quds është njësi e Gardës Revolucionare, e cila merret me operacionet jashtë vendit. Sipas IDF-së, divizioni që drejtonte Zadeh mbështeste Hezbollah-un në ndërtimin e forcave të tij dhe shërbente si lidhja mes udhëheqjes së lartë të IRGC-së dhe Hezbollahut.
IDF tha se Korpusi i Libanit ishte ura lidhëse mes IRGC-së dhe Hezbollahut, milicia e mbështetur nga Irani në Liban, të cilën Izraeli e ka shënjestruar vazhdimisht që nga e hëna.
Pas pretendimit për vrasjen e Zadeh, zëdhënësi ushtarak izraelit, Avichay Adraee, paralajmëroi “të gjithë përfaqësuesit e mbetur të Ministrisë iraniane të Terrorit në Liban” që të largohen para se të shënjestrohen.
Sipas Adraee, “përfaqësuesit e regjimit” iranian kishin 24 orë kohë për t’u larguar.
“Pas këtij afati, asnjë vend në Liban nuk do të konsiderohet strehë e sigurt për personelin e regjimit iranian,” tha ai, duke shtuar se IDF do t’i godasë këto objektiva me forcë të plotë kudo që ndodhen.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)