Aleatët e NATO kanë refuzuar të përfshihen në planin e presidentit amerikan Donald Trump për bllokimin e porteve iraniane, duke thelluar edhe më tej përplasjet brenda aleancës.
Sipas Reuters, vendet kryesore evropiane si Britania e Madhe dhe Franca e kanë bërë tashmë të qartë se nuk do të marrin pjesë në këtë operacion ushtarak, duke theksuar se do të ndërhyjnë vetëm pas përfundimit të konfliktit.
Presidenti Trump njoftoi se SHBA ka nisur një bllokadë detare ndaj Iranit dhe paralajmëroi se çdo anije iraniane që i afrohet zonës do të asgjësohet. Fillimisht, ai kishte deklaruar se operacioni do të realizohej në bashkëpunim me vende të tjera, por më vonë u sqarua se masa do të zbatohet vetëm për anijet që hyjnë ose dalin nga portet iraniane.
Që nga nisja e konfliktit më 28 shkurt, Irani ka kufizuar lëvizjen në Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë.
Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se vendi i tij nuk do të përfshihet në konflikt, pavarësisht presionit. “Nuk do të tërhiqemi në këtë luftë,” u shpreh ai, duke theksuar se fokusi mbetet ruajtja e stabilitetit dhe sigurisë detare.
Nga ana tjetër, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Parisi do të organizojë një konferencë me vende partnere për krijimin e një misioni shumëkombësh, me qëllim rikthimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, sapo të përfundojnë armiqësitë.
Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka kërkuar angazhim konkret nga vendet anëtare për të garantuar sigurinë në këtë zonë strategjike, megjithëse një vendim i përbashkët mbetet ende i paqartë.
Plani evropian parashikon një mision mbrojtës, jo luftarak, ku anijet ushtarake do të shoqërojnë cisternat dhe do të garantojnë kalim të sigurt, pa u përfshirë drejtpërdrejt në konflikt.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)