Sinjale peqeje, Irani propozon kalim të sigurt të anijeve në anën omanite të Ngushticës së Hormuzit

Ky propozim mund të përfaqësojë hapin e parë konkret nga ana e Iranit për të zbutur qëndrimet e ashpra të javëve të fundit, të cilat përfshinin vendosjen e tarifave për kalimin në këtë rrugë ndërkombëtare.

15.04.2026. 22:01

Sinjale peqeje, Irani propozon kalim të sigurt të anijeve në anën omanite të Ngushticës së Hormuzit

Iran mund të shqyrtojë lejimin e lundrimit të lirë dhe të sigurt të anijeve në anën omanite të Ngushticës së Hormuzit, si pjesë e propozimeve në negociatat me Shtetet e Bashkuara. Sipas një burimi të informuar nga Teherani, kjo mundësi varet nga arritja e një marrëveshjeje që do të parandalonte rifillimin e konfliktit.

Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit ka shkaktuar ndërprerjen më të madhe të furnizimeve globale me naftë dhe gaz, për shkak të bllokimit iranian të trafikut në këtë ngushticë. Përmes saj kalon rreth 20% e transportit botëror të naftës dhe gazit të lëngshëm. Qindra cisterna nafte dhe anije të tjera, së bashku me rreth 20 mijë marinarë, kanë mbetur të bllokuar në Gjirin Persik që nga fillimi i luftës më 28 shkurt.

Një armëpushim dyjavor hyri në fuqi më 8 prill, ndërsa presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi se konflikti është pranë përfundimit. Megjithatë, kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit mbetet një çështje kyçe në negociata. Burimi, i cili kërkoi të mbetet anonim për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, theksoi se Irani mund të lejojë përdorimin e anës tjetër të ngushticës, në ujërat e Omanit.

Teherani mund të garantojë që nuk do të shkaktojë pengesa. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Irani do të heqë minat e mundshme në këtë zonë apo nëse të gjitha anijet, duke përfshirë edhe ato që janë të lidhura me Izraelit do të lejohen të kalojnë lirshëm. Sipas burimit, kjo nismë varet nga gatishmëria e Uashingtonit për të përmbushur kërkesat e Teheranit, një kusht thelbësor për çdo zhvillim të mundshëm në lidhje me ngushticën strategjike.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar ende mbi raportimet, ndërsa Ministria e Jashtme e Iranit nuk ka qenë e disponueshme për deklarata. Një burim i sigurisë perëndimore konfirmoi se propozimi për kalim të lirë në ujërat omanite është në shqyrtim, por nuk dihet ende nëse Shtetet e Bashkuara kanë dhënë përgjigje. Ngushtica e Hormuzit, një rrip detar rreth 34 kilometra i gjerë midis Iranit dhe Omanit, është rruga kryesore për furnizimet energjetike nga Lindja e Mesme drejt tregjeve globale dhe për mallra të tjera jetike, përfshirë plehrat kimike.

Ky propozim mund të përfaqësojë hapin e parë konkret nga ana e Iranit për të zbutur qëndrimet e ashpra të javëve të fundit, të cilat përfshinin vendosjen e tarifave për kalimin në këtë rrugë ndërkombëtare dhe pretendime për sovranitet mbi ngushticën. Këto masa u konsideruaran nga industria globale e transportit detar si të paprecedenta dhe në kundërshtim me konventat ndërkombëtare.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)