30 viktima nga bora në Japoni, trashësia e saj në disa zona 4.5 m

Të paktën 30 persona kanë humbur jetën si pasojë e një stuhie bore që ka përfshirë Japoninë, tashmë prej dy javësh. Në disa zona trashësia e borës ka arritur 4.5 m.

Burimi: Bussines Recorder

03.02.2026. 08:45

30 viktima nga bora në Japoni, trashësia e saj në disa zona 4.5 m

Reshjet e dendura të dëborës në Japoni kanë shkaktuar të paktën 30 viktima gjatë dy javëve të fundit, duke detyruar autoritetet të ndërmarrin masa emergjente në zonat më të goditura.

Një nga rastet më tragjike është ai i një gruaje 91-vjeçare, e cila u gjet e vdekur nën një grumbull dëbore rreth tre metra të lartë jashtë shtëpisë së saj në prefekturën Aomori.

Sipas policisë lokale, dyshohet se dëbora ka rënë nga çatia e banesës, duke e zënë të moshuarën poshtë. Pranë trupit të saj u gjet një lopatë alumini, çka tregon se ajo po përpiqej të pastronte borën.

Prefektura e Aomorit është rajoni më i prekur, ku në disa zona të largëta trashësia e dëborës arrin deri në 4.5 metra. Qeveria qendrore ka angazhuar trupa ushtarake për të ndihmuar banorët, veçanërisht të moshuarit që jetojnë vetëm.

Kryeministrja Sanae Takaichi zhvilloi një mbledhje urgjente të kabinetit, duke u kërkuar ministrave të marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar humbje të tjera jete.

Autoritetet paralajmërojnë se rreziku mbetet i lartë, sidomos për shkak të rënies së borës nga çatitë dhe mundësisë së shembjes së ndërtesave, ndërsa temperaturat fillojnë të rriten.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)