Një mashtrim i pazakontë është zbuluar në shtetin Gujarat të Indisë, ku për rreth një vit e gjysmë një grup personash kishin ngritur një platformë pagesash autostrade të rreme, duke përfituar shuma të mëdha parash nga drejtuesit e automjeteve.
Ngjarja ka ndodhur në distriktin Morbi, përgjatë rrugës kombëtare Bamanbore-Kutch, ku shoferët paguanin tarifën e kalimit duke menduar se po kryenin pagesën zyrtare në favor të shtetit. Sipas raportimeve, mashtruesit kishin vendosur barriera, tabela dhe gjithçka të nevojshme për ta bërë pikën të dukej legjitime.
Për të bindur drejtuesit e mjeteve të devijonin nga rruga kryesore, ata ofronin një “zbritje” prej 50%, duke e bërë tarifën sa gjysma e asaj zyrtare. Ndërkohë, autorët përdorën edhe një tjetër mënyrë për të fituar besimin e qytetarëve, duke u thënë se paratë e mbledhura do të shërbenin për ndërtimin e tempujve në një fshat aty pranë.
Si pasojë, shumë shoferë ndryshonin rrugë duke menduar se po kursenin para dhe njëkohësisht po kontribuonin për një kauzë fetare. Vlerësohet se nga kjo skemë janë përfituar dhjetëra milionë rupi, të barasvlershme me rreth 700 mijë euro.
Pas zbulimit të mashtrimit, autoritetet indiane kanë arrestuar disa persona të përfshirë, përfshirë edhe pronarët e tokave ku ishte ngritur kabina e paligjshme. Ngjarja, e cila është zbuluar në vitin 2023, është bërë së fundmi virale në rrjetet sociale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)