Një fortesë ushtarake e shekullit XIX, e njohur si “Fort Darnet”, është shitur së fundmi në ankand për rreth 137 mijë euro, duke tejkaluar ndjeshëm vlerësimin fillestar prej 50 mijë paundësh. Ankandi u organizua nga shtëpia e njohur Savills dhe tërhoqi interes të madh nga blerës të shumtë, duke i dhënë fund një periudhe prej 40 vitesh nën të njëjtin pronar.
Fort Darnet ndodhet në lumin Medway, pranë zonës Hoo në Kent të Mbretërisë së Bashkuar, dhe është i regjistruar si monument i mbrojtur ligjërisht për shkak të vlerës së tij historike dhe kulturore. Fortesa u ndërtua mes viteve 1870 dhe 1872, bazuar në rekomandimet e Komisionit Mbretëror të Mbrojtjes, me synimin për të mbrojtur kantierin detar të Chatham dhe për të kontrolluar hyrjen në lumë, duke krijuar një pikë strategjike mbrojtjeje.
E projektuar për të strehuar një batalion prej rreth 100 ushtarësh, Fort Darnet përdorej kryesisht për stërvitje artilerie dhe ishte e pajisur për mbrojtje detare. Sipas Savills, një pjesë e madhe e strukturës origjinale është ruajtur në gjendje të mirë, çka rriti ndjeshëm interesin e blerësve gjatë ankandit.
Edhe pse u çaktivizua para Luftës së Parë Botërore, fortesa u riaktivizua gjatë Luftës së Dytë Botërore si pikë vëzhgimi, ku u ndërtuan platforma dhe fortifikime shtesë mbi strukturën ekzistuese. Aktualisht, objekti konsiderohet në gjendje të mirë, ndonëse magazina e municioneve ka disa zona të përmbytura. Hyrja në ishullin ku ndodhet fortesa është e mundur vetëm me varkë.
Përfaqësues të Savills u shprehën të kënaqur me rezultatin e ankandit, duke theksuar se kjo shitje tregon interesin në rritje për monumentet historike dhe pronat me vlerë ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)