Shën Valentini, historia e vërtetë pas festës së të dashuruarve

Nga një histori martirizimi dhe një letër e shkruar në burg, lindi festa që sot njihet në mbarë botën si dita e të dashuruarve.

14.02.2026. 08:36

Shën Valentini, historia e vërtetë pas festës së të dashuruarve

Çdo 14 shkurt, çifte nga e gjithë bota festojnë Shën Valentinin me dhurata, darka romantike dhe trëndafila të kuq. Por përtej anës festive dhe komerciale, kjo datë mbart një histori të lashtë, të lidhur me ngjarje reale dhe figura historike.

Në qendër të kësaj feste qëndron Shën Valentini nga Terni. Sipas traditës, gjatë sundimit të perandorit romak Klaudi II, të rinjve në moshë ushtarake iu ndalua martesa. Perandori besonte se burrat pa familje ishin ushtarë më të fortë dhe më të përkushtuar në betejë.

Valentini, një ipeshkëv i Ternit e kundërshtoi këtë urdhër dhe vazhdoi të celebronte martesa në fshehtësi. Veprimi i tij u konsiderua sfidë ndaj autoritetit perandorak dhe për këtë arsye ai u arrestua dhe u ekzekutua më 14 shkurt të vitit 269 pas Krishtit. Me kalimin e kohës, figura e tij u shndërrua në simbol të mbrojtjes së dashurisë dhe të sakrificës në emër të saj.

Edhe tradita e shkëmbimit të mesazheve romantike lidhet me një episod historik. Shekuj më vonë, Karli i Orleanit, i burgosur në Kullën e Londrës pas betejës së Agincourt-it, i shkruajti një letër bashkëshortes së tij për t’i shprehur mallin dhe dashurinë. Në letër, e cila ruhet sot në Librarinë Britanike, ai e quante “Ma tres doulce Valentinée”, ose ndryshe “Valentina ime shumë e ëmbël”.

Ky konsiderohet si një nga mesazhet e parë të dashurisë që lidhen me 14 shkurtin. Kështu, nga një histori martirizimi dhe një letër e shkruar në burg, lindi festa që sot njihet në mbarë botën si dita e të dashuruarve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)