“Pengim i drejtësisë”, nis sot në Hagë gjyqi për akuzat ndaj Hashim Thaçit

Akuzohet se ka shpërndarë informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e Prokurorisë në çështjen për krime lufte “Thaçi dhe të tjerët” dhe se ka udhëzuar bashkëpunëtorët të ndikojnë te dëshmitarët.

27.02.2026. 09:29

“Pengim i drejtësisë”, nis sot në Hagë gjyqi për akuzat ndaj Hashim Thaçit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nis sot procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi. Ata përballen me akuza për pengim të drejtësisë.

Seanca e parë, e cila përfshin paraqitjen e deklaratave hyrëse, është parashikuar të zhvillohet nga ora 09:30 deri në 16:00. Pas kësaj faze, Prokuroria pritet të nisë me paraqitjen e provave përpara trupit gjykues.

Sipas aktakuzës, Thaçi akuzohet se gjatë periudhës prill-nëntor 2023 ka shpërndarë informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e Prokurorisë në çështjen për krime lufte “Thaçi dhe të tjerët”. Sipas akuzës, këtë e ka realizuar gjatë vizitave të paautorizuara në qendrën e paraburgimit. Gjithashtu, pretendohet se ai ka udhëzuar bashkëpunëtorët e tij për të ndikuar te dëshmitarët.

Në dokumentet e Prokurorisë thuhet gjithashtu se është krijuar një strukturë e organizuar me qëllim ndërhyrjen në procesin gjyqësor, ku përfshiheshin disa prej të akuzuarve dhe persona të tjerë të paidentifikuar zyrtarisht. Gjatë fazës hetimore, disa prej të akuzuarve janë arrestuar dhe më pas janë liruar me kushte të caktuara. Të gjithë kanë deklaruar pafajësinë e tyre para gjykatës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)