Vetëm pak orë pas marrjes së ftesës nga presidenti Donald Trump për Shqipërinë, që të jetë pjesë si Shtet Anëtar Themelues i Bordit të Paqes, kryeministri Edi Rama publikoi letrën e marrë nga lideri i Shteteve të Bashkuara. Ajo mban datën 16 janar 2026.
Pasi e bëri publike ftesën, kreu i qeverisë e cilësoi “një nder” dhe “shprehje besimi ndaj Shqipërisë”, duke theksuar se do të angazhohet deri në fund për ta lartësuar emrin e vendit tonë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Në mesazhin e tij, presidenti Trump flet për një “përpjekje historike dhe madhështore për forcimin e paqes në Lindjen e Mesme” dhe për një qasje të re ndaj zgjidhjes së konflikteve globale.
Ai rikujton se më 29 shtator 2025 kishte shpallur Planin Gjithëpërfshirës për përfundimin e konfliktit në Gaza. Sipas tij, plani me 20 pika u mbështet nga liderët botërorë dhe u përforcua nga miratimi i Rezolutës 2803 në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. “Tani është koha që t’i kthejmë ëndrrat në realitet”, shkruante presidenti amerikan, duke theksuar se në zemër të këtij procesi qëndron Bordi i Paqes, i cili do të krijohet si një organizatë e re ndërkombëtare dhe administratë qeverisëse tranzitore.
Si Kryetar i Bordit të Paqes, presidenti i Shteteve të Bashkuara e ftoi zyrtarisht Shqipërinë të përfaqësohet në këtë strukturë dhe të bëhet pjesë e statutit themelues. “Ky bord do të jetë më mbresëlënësi dhe më me ndikim i krijuar ndonjëherë”, theksote Trump. Bazuar në përmbajtjen e letrës, shtetet anëtare do të kenë mundësi të caktojnë përfaqësuesit e tyre në procesin vendimmarrës.
Në përmbyllje, presidenti Trump shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim afatgjatë me Shqipërinë, me synimin e vendosjes së “paqes së përhershme në botë, mirëqenies dhe madhështisë për të gjithë”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)