Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky kanë mbajtur fjalime tërësisht të kundërta me rastin e Vitit të Ri, në një moment kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare janë intensifikuar.
Në adresimin e tij të shkurtër, të transmetuar në mbarë Rusinë, Putin u fokusua kryesisht te uniteti kombëtar dhe qëndrueshmëria e shoqërisë ruse, duke përmendur luftën vetëm në fund të fjalimit. Ai e përshkroi konfliktin si një mision të përbashkët kombëtar, duke lavdëruar trupat ruse dhe duke theksuar mbështetjen e popullit për ushtrinë. Putin u shpreh i bindur në “fitoren” e Rusisë dhe u uroi ushtarëve një Vit të Ri të mbarë, shkruan Newsmax.
Në kontrast të fortë, Zelensky i kushtoi pothuajse të gjithë fjalimin luftës dhe perspektivës së paqes. Duke folur pak minuta para ndërrimit të viteve, ai pranoi se paqja ende nuk ka ardhur, por theksoi se Ukraina po bën gjithçka për ta arritur atë. Sipas tij, një marrëveshje paqeje është “90 për qind e gatshme”, megjithëse 10 për qindëshi i mbetur do të jetë vendimtar për fatin e Ukrainës dhe të Evropës.
Zelensky përmendi gjithashtu përpjekjet diplomatike në vazhdim, disa ditë pasi u takua me presidentin amerikan Donald Trump në Florida.
Ndërkohë, luftimet nuk janë ndalur. Rusia ka lëshuar mbi 200 dronë drejt Ukrainës gjatë natës, ndërsa Moska ka akuzuar Kievin për një sulm me dron në rajonin e Khersonit, me viktima civile, një pretendim që Ukraina nuk e ka konfirmuar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)