Vasyl Malyuk ka dhënë dorëheqjen nga posti i kreut të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, detyrë që e mbante që prej vitit 2022. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Malyuk përmes një mesazhi në kanalin zyrtar të shërbimeve sekrete ukrainase në aplikacionin Telegram.
“Do të qëndroj brenda sistemit të shërbimeve sekrete për të zbatuar operacione speciale asimetrike të nivelit botëror, të cilat do të vazhdojnë t’i shkaktojnë dëme maksimale armikut”, deklaroi ai. Menjëherë pas dorëheqjes, presidenti Volodymyr Zelensky ka emëruar Yevhen Khmara si drejtues të përkohshëm të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës.
Sipas agjencisë ukrainase RBC, Khmara ka pasur një karrierë me rritje të shpejtë brenda Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, duke u dalluar për rezultate të rëndësishme në fushën e operacioneve speciale. Sipas mediave ukrainase, Zelensky i kishte ofruar Malyuk një detyrë tjetër, mes të cilave drejtimin e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme ose të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Megjithatë, Malyuk e ka refuzuar këtë propozim. “Jam i bindur se një shërbim sekret i fortë dhe modern është çelësi i sigurisë së shtetit tonë”, thuhet në mesazhin e tij të dorëheqjes. Ai shtoi se “ndryshimet që presidenti po ndërmerr në sektorin e mbrojtjes synojnë pikërisht këtë objektiv” dhe e falënderoi Zelenskyn për besimin.
Ndërkohë, situata në frontin e luftës mbetet e tensionuar. Gjatë natës janë regjistruar sulme të reja ruse në Kiev dhe zonat përreth, ndërsa në të gjithë vendin ishte shpallur alarm nga raketat. Autoritetet lokale raportojnë për të paktën dy viktima, teksa kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi edhe të paktën tre persona të plagosur, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Në rajonin e Kievit janë dëmtuar gjithashtu të paktën shtatë banesa dhe një pallat shumëkatësh, si edhe garazhe, automjete dhe magazina.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)