Një video e pazbuluar më parë, e cila daton më 10 maj 2025, e cila është regjistruar gjatë vizitës së Emmanuel Macron në Kiev. “France Télévisions” e ka përfshirë në dokumentarin e publikuar “Lufta, Donald Trump dhe ne”. Xhirimi i realizuar në ambientet e brendshme ka kapur momentin e një bisedë telefonike ndërmjet presidentit francez dhe presidentit amerikan, lidhur me negociatat për armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë.
Prej fillimit të telefonatës, Macron kërkonte falje për orarin e hershëm në Shtetet e Bashkuara. “Donald, e di që është shumë herët për ty. Më vjen keq që të telefonoj në këtë orë”, dëgjohet presidenti francez.
Ai e njoftoi Trump se Volodymyr Zelensky ka pranuar kushtet për një armëpushim 30-ditor të pakushtëzuar me Rusinë, nën mbikëqyrjen amerikane. Trump e pyeti me habi: “Volodymyr Zelensky ka pranuar gjithçka?”. Pas konfirmimit pozitiv, presidenti amerikan tha: “Oh mirë. Çmimin Nobel për Paqen ju lutem”.
Në një telefonatë të dytë, Macron lidh Trump me Zelensky-n, kryeministrin polak Donald Tusk, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik Keir Starmer. Zelensky nënvizon nevojën për të mbajtur presion mbi Moskën dhe mundësinë e sanksioneve në rast mosrespektimi të armëpushimit. “Mendoj se do ta pranojë... Kam pasur një bisedë të mirë me të”, tha Trump në mënyrë optimiste, duke iu referuar Putin.
Megjithatë, entuziazmi zgjati pak. Disa orë më vonë, Vladimir Putin e refuzoi marrëveshjen dhe propozoi negociata direkte më 16 maj në Stamboll. Sipas tij, negociatat do të drejtoheshin nga Vladimir Medinskij, një emisar i nivelit të dytë dhe aty nuk do të ishin të pranishëm liderët. Bisedimet dështuan, e në të njëjtën mënyrë përfundoi edhe raundi tjetër në qershor 2025.
Material i transmetuar nga “France 2” zbardh tensionin dhe përpjekjet diplomatike të bëra, për të arritur armëpushimin në Ukrainë. Aty shfaqen pasioni, optimizmi dhe më pas zhgënjimi i liderëve ndërkombëtarë për luftën që nisi më 24 shkurt 2022 dhe ende nuk ka shenja se mund të përfundojë së afërmi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)