Një gjarpër i rrallë është zbuluar në jug të Kinës, ndërsa studiuesit thonë se zvarraniku ka zhvilluar një mënyrë të pazakontë mbrojtjeje, duke përdorur bishtin për të imituar një kokë të dytë dhe për të trembur grabitqarët.
Zbulimi u bë nga një ekip studiuesish në Rezervatin Kombëtar Natyror Huaping, në rajonin autonom Guangsi Džuang. Sipas mediave kineze, gjarpri i ri është identifikuar gjatë një projekti të gjerë për studimin e biodiversitetit në zonë.
Specia e re ka gjatësi pak më shumë se 20 centimetra dhe trup me ngjyrë kafe. Studiuesit shpjegojnë se pigmenti i errët në luspat e tij krijon një model të veçantë në formë rrjete.
Gjarpri lëviz kryesisht natën dhe kalon pjesën më të madhe të kohës i fshehur mes gjetheve të kalbura, tokës së lagësht dhe çarjeve të shkëmbinjve. Ai ushqehet me krimba dhe larva insektesh me trup të butë.
Karakteristika më e veçantë e kësaj specieje është mënyra si mbrohet. Kur ndihet i rrezikuar, gjarpri mbledh trupin në formën e numrit tetë ose ngre bishtin e rrumbullakosur për të krijuar përshtypjen e një koke të dytë. Pikërisht për këtë arsye studiuesit i kanë vendosur nofkën “gjarpri me dy koka”.
Shkencëtarët theksuan se, pavarësisht pamjes së pazakontë, specia nuk është agresive dhe as helmuese. Zbulimi konsiderohet një tjetër dëshmi e pasurisë së biodiversitetit në rezervatin Huaping, ku më herët këtë vit u identifikua edhe një specie e re bretkose.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)