Studentët ishin ankuar për ushqimin, shpallet në kërkim administratorja e kompanisë

Kompania “Sori-Al” ishte përgjegjëse për përgatitjen dhe shpërndarjen e vakteve ushqimore për studentët.

08.05.2026. 17:03

Studentët ishin ankuar për ushqimin, shpallet në kërkim administratorja e kompanisë

Hetimet për helmimin e 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë kanë marrë zhvillime të reja, pasi policia ka shpallur në kërkim Alma Tafanin, administratore e kompanisë “Sori-Al”, e cila kishte kontratën për furnizimin me ushqim në institucion.

Sipas burimeve hetimore, gjatë kontrollit në banesën e saj, familjarët kanë deklaruar se Tafani ndodhej jashtë Shqipërisë për arsye pune. Megjithatë, verifikimet e kryera në sistemin TIMS kanë treguar se ajo rezulton ende në territorin shqiptar, ndërsa dyshohet se po shmang kontaktin me autoritetet për t’i ikur hetimeve.

Në fokus të Prokurorisë është edhe bashkëshorti i saj, Nikolin Jaka, i cili pritet të merret në pyetje lidhur me kontratën e kateringut dhe mënyrën e menaxhimit të furnizimeve ushqimore për studentët e Akademisë së Sigurisë.

Kompania “Sori-Al” ishte përgjegjëse për përgatitjen dhe shpërndarjen e vakteve ushqimore për studentët. Disa prej tyre kanë dëshmuar se prej kohësh kishin ngritur shqetësime për cilësinë dhe standardet e ushqimit të servirur.

Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe kuzhinieri Kujtim Ballgjini dhe teknologia e ushqimit Kristjana Plaka. Ata kanë deklaruar se përgatitja e vakteve është bërë sipas produkteve dhe menusë së përcaktuar nga kompania.

Alma Tafani po hetohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”, një akuzë që parashikon deri në 10 vite burgim.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)