Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, u përplas me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, gjatë seancës plenare të kësaj të enjteje, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës dhe të rregullores së Kuvendit pas refuzimit të disa kërkesave të opozitës për interpelancë.
Me tone të ashpra, Bardhi u ndal te refuzimi i kërkesës për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me çështjen e AKSHI-t, me institucionin që është duke u hetuar nga SPAK për tenderat abuzivë.
“Jeni shkelës konstant i Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit. I keni refuzuar grupit parlamentar të PD-së një interpelancë urgjente me kryeministrin lidhur me AKSHI-n. Sipas rregullores, duhej të njoftonit seancën plenare dhe t’i jepnit mundësinë opozitës të paraqiste argumentet e saj”, deklaroi Bardhi.
Ai paralajmëroi se opozita do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për tre kërkesat e refuzuara, duke akuzuar mazhorancën për tejkalim kompetencash.
“Tre kërkesat e refuzuara do t’i dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese për tejkalim kompetencash. Ke marrë përsipër të asgjësosh parlamentarizmin dhe demokracinë”, tha Bardhi.
Në fund të fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar të PD-së i kërkoi Peleshit të japë dorëheqjen nëse nuk është në gjendje të detyrojë kryeministrin Edi Rama që të paraqitet në Kuvend për interpelancë.
“Nëse nuk zbatoni Kushtetutën dhe nuk sillni dot Edi Ramën në seancë plenare, jep dorëheqjen! Je i frikësuar t’i thuash kryeministrit që është i detyruar të japë llogari në Kuvend. Nuk ke guxim! Të paktën tërhiqu nga ajo pozitë”, u shpreh Bardhi.
Kreu i Kuvendi ju përgjigj Bardhit duke thënë se e njeh shumë mirë Kushtetutën e vendit.
“Ishit ju që më qëlluat me Kushtetutën në ditën e parë. Përdor atë librin që më qëlluat ju. E kapa në ajër dhe më pas e lexova. Atë kushtetutë që më qëlluat ju po përdor”, tha me ironi Peleshi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)