Aksidenti me 2 viktima në Durrës, Balla: PS propozon ndryshime në Kodin Rrugor, preken shoferët e papërgjegjshëm

Balla bëri të ditur se deputetë të Partisë Socialiste kanë depozituar amendamente që synojnë masa më të forta parandaluese ndaj drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit.

07.05.2026. 11:00

Aksidenti me 2 viktima në Durrës, Balla: PS propozon ndryshime në Kodin Rrugor, preken shoferët e papërgjegjshëm

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi në seancën plenare të kësaj të enjteje shtyrjen e diskutimit për ndryshimet në Kodin Rrugor, pas aksidentit tragjik në Durrës ku humbën jetën dy fëmijë.

Balla bëri të ditur se deputetë të Partisë Socialiste kanë depozituar amendamente që synojnë masa më të forta parandaluese ndaj drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit.

“Nisur nga diskutimet që bëmë ditën e hënë, nga të dyja krahët e kësaj salle, të cilët me të drejtë iu referuan ngjarjes së rëndë që ndodhi ditën e diel në Durrës, deputetë të PS kanë propozuar disa amandamente të cilët kanë në fokus masa parandaluese ndaj drejtuesve të papërgjegjshëm dhe në këtë këndvështrim që edhe kolegët e grupit parlamentar të PD t’i shohin gjithashtu, kërkojmë shtyrjen e diskutimit të kësaj çështjeje, me qëllim që të kemi konsensusin e duhur. Besoj se të gjithë biem dakord për ta shtyrë, që të kenë kohë edhe kolegët e tjerë të shohin”, deklaroi Balla.

Kujtojmë se kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, paralajmëroi një ditë pas aksidentit ndryshime në Kodin Penal, duke kërkuar ndëshkime më të ashpra për autorët e aksidenteve të rënda rrugore.

“Ngjarja e rëndë ka prekur shumë ndjeshmëri, tek çdo shqiptar por edhe tek çdo prind. Ai është një njeri që do duhet të marrë ndëshkimin e merituar sipas ligjit. Ngjarja është shumë e rëndë. Bashkohem me ngushëllimet për familjet. Por ky Komision ka përgjegjësinë që këtë shqetësim ta përkthejë në ndryshime ligjore. Bashkë me disa kolegë të tjerë të kësaj mazhorance shumë shpejt do t’i drejtojmë Kuvendit të Shqipërisë një paketë ndryshime në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë dhe Kodin Penal. Autori i kësaj vepre penale gjithçka mundë të përfaqësojë, por nuk meriton të jetë më mes nesh përveçse të marrë ndëshkimin e merituar shembullor sipas ligjit”, u shpreh Manja.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 maj në zonën e Ish-Kënetës në Durrës, ku tre fëmijë po luanin në trotuar në momentin kur u përplasën nga një automjet tip “Mercedes-Benz ML”, i drejtuar nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi. Si pasojë e aksidentit humbën jetën dy fëmijë të moshave 10 dhe 12 vjeç, ndërsa një 8-vjeçar mbeti i plagosur dhe po merr trajtim në spital.

Sipas hetimeve paraprake, drejtuesi i automjetit dyshohet se lëvizte me shpejtësi dhe në gjendje të dehur. Para policisë, Radaçi ka deklaruar se devijoi automjetin për të shmangur një mjet tjetër që i kishte prerë rrugën.

“Unë po lëvizja në korsinë e djathtë dhe papritur doli një automjet. Devijova për ta shmangur dhe përfundova në trotuar, ku u përfshiva në aksident me disa fëmijë”, mësohet të ketë deklaruar ai para oficerëve të policisë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)