Raporti i PE ndez Kuvendin, rrëzohet kërkesa e PD për debat urgjent, Bardhi: Integrimi nuk bëhet pa opozitën

Mazhoranca dhe opozita janë përplasur në Kuvend në lidhje me raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë. PD përmes Gazment Bardhit kërkoi debat urgjent për integrimin, por kreu i Grupit të PS, Taulant Balla tha se dokumenti ende nuk është miratuar nga seanca plenare e Parlamentit Europian.

07.05.2026. 11:16

Raporti i PE ndez Kuvendin, rrëzohet kërkesa e PD për debat urgjent, Bardhi: Integrimi nuk bëhet pa opozitën

Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvend u shoqërua me debate mes opozitës dhe mazhorancës lidhur me raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe procesin e integrimit europian.

Në nisje të seancës u mbajt një minutë heshtje në nder të ish-kreut të Kuvendit, Servet Pëllumbi. Ndërkohë, opozita kërkoi ndryshimin e rendit të ditës për të zhvilluar një diskutim mbi projekt-rezolutën e miratuar në Komisionin e Jashtëm të PE, por kërkesa u rrëzua nga mazhoranca.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi shumicën se po tenton të përjashtojë opozitën nga procesi i integrimit europian.

“Meqë jemi te integrimi dua të sjell në vëmendje që mazhoranca që po bën veprime për përjashtimin e opozitës nga procesi, ka vijuar njëlloj edhe në këto ditë, edhe kur raporti bën thirrje për bashkëpunim. Nesër keni thirrur një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Integrimit, dua të informoj këta që ngrihen në foltore dhe kërkojnë bashkëpunimin e opozitës, se i vetmi forum ku ne jemi të përfaqësuar, na vjen një axhendë që nis me Taulant Ballën dhe mbyllet me 10 Taulant Balla të PS. Në axhendë nuk ka asnjë përfaqësues të opozitës”, deklaroi Bardhi.

Pas kërkesës së opozitës për diskutimin e raportit, reagoi kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili tha se dokumenti ende nuk është miratuar nga seanca plenare e Parlamentit Europian dhe se debati në Kuvend mund të zhvillohet javën e ardhshme.

“Shumë faleminderit dhe mirënjohje të 55 eurodeputetëve anëtarë të Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian për këtë projekt-rezolutë, e cila reflekton qartazi përparimin dhe progresin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo është një projekt-rezolutë e Parlamentit Europian mbi raportin e Komisionit Europian për vitin 2025.

Tani Parlamenti Europian këtë dokument do ta miratojë vetë në 16 ose 17 qershor, sepse e ka miratuar Komisioni dhe do ta miratojë seanca plenare. Na kërkohet që ta bëjmë ne diskutimin përpara se ta miratojë Parlamenti Europian. Mos na bëni qesharakë. Ne jemi shumë të gatshëm ta diskutojmë, por e kemi programuar javën tjetër me 14 maj debatin për raportin e Komisionit dhe raportin vjetor që përgatit Shqipëria”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se praktika institucionale kërkon që dokumenti të miratohet fillimisht nga Parlamenti Europian dhe më pas të diskutohet në Kuvendin e Shqipërisë. Në debat ndërhyri edhe deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e cila tha se opozita e konsideron integrimin europian si procesin kyç për transformimin e vendit.

“Unë shpresoj që qeveria ta përdorë për të reflektuar, kush ka qenë pengesa. Më mirë se kaq ata nuk bëjnë dot, siç e thotë raporti, vendimet e tyre janë pengesa. Por të paktën qytetarët shqiptarë kanë nevojë për transparencë. Opozita është këtu, është gati të japë kontributin e vet, e bën këtë për Shqipërinë dhe shqiptarët, e beson procesin e integrimit si të vetmin proces që e ndryshon vendin. Unë shpresoj shumë që të reflektoni, se sa herë që ngrini kartonin kundër, e ngrini kundër procesit të integrimit”, deklaroi Tabaku.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)