Kryeministri Edi Rama deklaroi se Reforma në Drejtësi do të vijojë përpara pavarësisht “dhimbjeve dhe kostove”, ndërsa theksoi se Bashkimi Europian mbetet garancia kryesore për konsolidimin e institucioneve dhe shtetit ligjor në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij në Kongresin Botëror të Ligjit, Rama tha se qeveria është e vendosur të mos lejojë kthim pas në procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë.
“Jam besimplotë se ky proces do të shkojë përpara ashtu siç duhet me të gjitha dhimbjet dhe kostot e veta. Jam më i vendosur se asnjëherë bashkë me shumicën qeverisëse që të mos lejojmë të cenohet ajo çka është projektuar dhe të mos lejojmë të lëkundet ajo çka është ndërtuar, në aspektin e një sistemi të ri dhe të pavarur drejtësie”, u shpreh kryeministri.
Rama solli si shembull respektimin e ligjit për vendosjen e rripit të sigurimit, duke argumentuar se sjellja e qytetarëve përcaktohet nga funksionimi i sistemit dhe jo nga kombësia.
“Sistemi është ai që përcakton sjelljen e individit në raport me ligjin. Gjermanët në Shqipëri i gëzoheshin mosvendosjes së rripit të sigurisë, ndërsa shqiptarët në Gjermani as nuk e imagjinonin të mos e vendosnin”, tha ai.
Sipas kreut të qeverisë, Reforma në Drejtësi synon të mbyllë hendekun mes ligjit dhe zbatimit të tij, duke ndërtuar institucione që pengojnë arbitraritetin dhe vendosin barazinë para ligjit.
Kryeministri vlerësoi rolin e Bashkimi Europian në procesin e transformimit të Shqipërisë, duke thënë se pa mbështetjen europiane vendi nuk do të kishte arritur të ndërtonte institucione të pavarura.
“Nëse BE nuk do të ishte aty dhe shqiptarët nuk do ta donin aq shumë BE-në, ne nuk do të arrinim kurrë të ndërtonim një sistem të pavarur drejtësie dhe të vendosnim barazinë para ligjit. Ose do të arrinim po aq sa kanë arritur afganët apo irakianët pas bombave”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se Bashkimi Europian është “burimi më i madh i dijes” për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe se procesi i integrimit përfaqëson një transferim të rëndësishëm eksperience dhe standardesh nga Brukseli drejt Tiranës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)