Ushqimi dyshohet të jetë shkaku i helmimit të 56 studentëve në Akademinë e Sigurisë në Tiranë. Studentët shfaqën simptoma si të vjella dhe dhimbje barku pas konsumimit të drekës në ambientet e institucionit dhe morën ndihmë mjekësore në QSUT.
Lidhur me ngjarjen, policia arrestoi kuzhinierin dhe teknologun e kompanisë së kateringut, ndërsa administratorja e kompanisë furnizuese është shpallur në kërkim. Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të incidentit.
Administratori i Akademisë së Sigurisë, Milton Nushi, deklaroi se gjendja e studentëve është stabilizuar dhe se të gjithë janë rikthyer në ambientet e shkollës.
“Kanë pasur shqetësime studentët, pas konsumimit të vaktit të drekës. Janë çuar në infermierinë që kemi këtu dhe më pas në QSUT dhe janë kthyer të gjithë shëndoshë e mirë, e tani janë kthyer këtu. Dyshimi është që ka ndodhur pas këtij ushqimi. Kanë një menu ditore për çdo vakt. Ushqimi është i standardeve shumë të mira, mund të ketë pasur ankesa për llojshmërinë, por ushqimi është jashtëzakonisht i mirë. Ne nuk kemi pasur asnjë lloj problem helmimi deri më sot që flasim”, u shpreh Nushi.
Ai sqaroi se menjëherë pas incidentit janë njoftuar Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe institucionet e Shëndetit Publik, të cilat kanë marrë mostrat për analizim.
“Kemi njoftuar AKU dhe Shëndetin Publik që kanë marrë mostrat, sepse ushqimi këtu vjen në formë kateringu. Ne këtu mbajmë edhe mostrat, kemi komision që e pret bashkë me mjekun, mbajmë mostrat të ruajtura 24 orë, për raste kur ndodhin këto incidente. Rasti i parë është ky, më duket në 2016 ka qenë një rast”, tha administratori i Akademisë.
Sa i përket kompanisë furnizuese “Sori-Al”, Nushi bëri me dije se kontrata aktuale është e re.
“Kjo kontratë me kompaninë është e re, por kemi pasur edhe të mëparshme. Po presim të dalin aktet e analizës, kemi thirrur Shëndetin Publik që kanë ardhur përsëri për të marrë analizat e studentëve për të parë si është ecuria e tyre, ka qenë formë e lehtë. Puna vazhdon normalisht, shkolla dhe furnizimi i vakteve. Gjendja e tyre është shumë e mirë tani. Ushqimi gatuhet në një vend tjetër, jo në Akademinë e Sigurisë, atje ku ka licencimin kompania. Tre vakte përditshme, mëngjes, drekë dhe darkë”, deklaroi ai.
Sa i përket menusë së drekës së konsumuar nga studentët, të cilët përfunduan në spital ajo ka pasur të përfshirë sallatë me perime të ziera, gjellë patate/tavë me presh, makarona/pilaf, mish, biskotë, banane dhe bukë.
Ndërkohë për ngjarjen reagoi edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili konfirmoi arrestimin e dy personave përgjegjës dhe sekuestrimin e ushqimeve të përdorura për konsum.
“Kemi marrë të gjitha masat e sigurisë, që ne t’u ardhur në ndihmë. Kemi vënë në pranga dy persona përgjegjës. Është shpallur në kërkim edhe administratorja e kompanisë. Bashkë me AKU kemi sekuestruar të gjithë sasinë e ushqimeve që u përdor dje për konsum. Vazhdojnë hetimet për të parë të gjithë dinamikën se si ndodhi ngjarja”, tha Hita.
Ai shtoi se studentët kanë shfaqur simptoma të lehta dhe se hetimet po vijojnë për të përcaktuar shkeljet konkrete.
“Ka qenë një ngjarje sensitive dhe për ne. Jemi njoftuar se disa prej studentëve kanë shkuar në spital. Gjendja e tyre ishte me simptoma të lehta, jo të rënduara. Kemi marrë masa për të gjithë studentët. Sa i përket veprimeve që ndërmorëm dje, arrestuam 2 personat përgjegjës që kanë kryer pjesën administrative dhe përgatitjen e ushqimeve. U shpall në kërkim edhe administratorja e firmës. U bë në bashkëpunim me AKU, bllokimi i lëndës që u përdor. Aktiviteti i subjektit tregtar nuk është ndërprerë, pasi ka dhe disa institucione të tjera ku vepron. Shkeljet konkrete do të bëhen të ditura në vijim”, deklaroi drejtori i Policisë së Shtetit.
Sipas tij, kompania ka vijuar furnizimin me ushqim edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa autoritetet po presin rezultatet laboratorike për të zbardhur plotësisht shkaqet e helmimit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)