Çështja e rezervave të sigurisë së naftës u kthye në temë debati në Kuvend, ku opozita akuzoi qeverinë për mungesë të garantimit të hidrokarbureve në rast krizash, ndërsa ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, siguroi se vendi nuk përballet me rrezik për furnizimin me naftë.
Gjatë një interpelance parlamentare, deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, deklaroi se Shqipëria nuk po zbaton detyrimet ligjore për mbajtjen e rezervave të naftës, sipas standardeve të Bashkimit Europian.
“Është e dhimbshme të shohësh që Shqipëria, edhe pse ka një detyrim ligjor, nuk siguron sot asnjë gram naftë”, u shpreh Bozdo, duke shtuar se vendi duhet të kishte rezerva të disponueshme për të paktën 90 ditë importi, ashtu siç parashikon ligji dhe direktivat europiane.
Sipas tij, Shqipëria mbetet e pambrojtur përballë krizave ndërkombëtare që mund të ndikojnë në furnizimin me karburant. Ai kritikoi gjithashtu projektligjin e propozuar, duke thënë se nuk do të zgjidhë problemin e mungesës së rezervave strategjike.
Nga ana tjetër, ministri Enea Karakaçi hodhi poshtë pretendimet e opozitës, duke deklaruar se rezerva e sigurisë së hidrokarbureve përdoret vetëm në rastet kur ka mungesë produkti në treg dhe ndërprerje të furnizimit.
“Rezerva e hidrokarbureve është e implementueshme kur ka mungesë produkti në treg. Aktualisht nuk ka pasur mungesa në furnizim dhe vendi ynë nuk është i rrezikuar për ndërprerjen e naftës”, tha Karakaçi.
Ai theksoi se gjatë viteve të fundit qeveria ka përballuar me sukses disa kriza globale, përfshirë pandeminë Covid-19, pa lejuar që pasojat të rëndonin mbi qytetarët. Ministri shtoi se tashmë rezervat e hidrokarbureve menaxhohen nga agjenci shtetërore dhe jo më nga shoqëritë tregtare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)