Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian deklaroi të enjten se është takuar me liderin suprem të vendit, Mojtaba Khamenei, i cili nuk është parë në publik që nga emërimi i tij në fillim të muajit mars. Gjithsesi, në videon e transmetuar nga televizioni shtetëror, Pezeshkian nuk bëri të ditur se kur është zhvilluar takimi.
“Gjëja që më la më shumë përshtypje gjatë këtij takimi ishte vizioni dhe qasja e përulur dhe e sinqertë e liderit suprem të revolucionit islamik”, tha ai. Mojtaba Khamenei, i cili mbeti i plagosur gjatë sulmeve në orët e para të luftës në Lindjen e Mesme, ka publikuar vetëm deklarata me shkrim që prej emërimit të tij. Sulmi në zemër të Teheranit shkaktoi edhe vdekjen e të tij, njëkohësisht liderit suprem të mëparshëm, Ali Khamenei.
Ali Khamenei, i cili udhëhoqi Republikën Islamike për më shumë se tre dekada, u vra në moshën 86-vjeçare. Ai kishte marrë drejtimin e vendit në vitin 1989, pas vdekjes së themeluesit të Republikës Islamike, Ayatollah Ruhollah Khomeini.
Emërimi i Mojtaba Khameneit nga Asambleja e Ekspertëve të Iranit, organ i përbërë nga 88 anëtarë përgjegjës për përzgjedhjen e liderit supreme, u njoftua nga televizioni shtetëror më 9 mars. Prej asaj kohe, portretet e liderit të ri 56-vjeçar janë shfaqur kudo në rrugët e Iranit, megjithatë ai ka munguar në skenën publike, ndryshe nga paraqitjet e shpeshta që bënte babai i tij.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)