Gjykata e Lartë ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila më herët ndodhej në arrest shtëpie me vendim të GJKKO. Sipas vendimit të ri, Karçanaj nuk do të qëndrojë më në arrest shtëpiak, por do të jetë nën masën e “detyrimit për paraqitje” pranë policisë gjyqësore, si edhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.
Ish-zyrtarja po hetohet në lidhje me çështjen e tenderave të AKSHI-t, ku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike, në kuadër të bashkëpunimit në grup të strukturuar kriminal. Ndaj saj rëndojnë gjithashtu edhe akuzat për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale në kuadër të organizatës kriminale.
NJOFTIMI I GJYKATËS SË LARTË
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 4 (87-2026-50) datë 05.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i përket disponimit në lidhje me rekursuesit Erjon Ismaili dhe Gëzim Hoxha.
2. Ndryshimin e vendimit nr. 4 (87-2026-50) datë 05.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lidhje me rekursuesen Mirlinda Karçanaj.
a. Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, duke u urdhëruar personi nën hetim Mirlinda Karçanaj të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.
b. Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, duke u urdhëruar personi nën hetim Mirlinda Karçanaj të paraqitet pranë policisë gjyqësore, të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji ora 10:00.
3. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me ekzekutimin e këtij vendimi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)