Gjuha e ashpër lihet pas, Papa pret sekretarin Rubio: Të punojmë për promovimin e paqes

Gjatë vizitës pati edhe një shkëmbim simbolik dhuratash mes Papës dhe zyrtarit amerikan.

Burimi: TGcom

07.05.2026. 17:55

Gjuha e ashpër lihet pas, Papa pret sekretarin Rubio: Të punojmë për promovimin e paqes

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio zhvilloi një vizitë zyrtare në Vatikan ku u prit në takim nga Papa Leone XIV. Takimi u fokusua te çështjet ndërkombëtare, situata në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet për promovimin e paqes dhe dinjitetit njerëzor.

Pas bisedës me Papën, Rubio zhvilloi gjithashtu takim me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, si dhe me monsinjorin Paul Gallagher.

Sipas njoftimit zyrtar të Selisë së Shenjtë, palët riafirmuan angazhimin për forcimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Vatikanit, duke theksuar nevojën për të punuar pa u lodhur për paqen në vendet e prekura nga luftërat, tensionet politike dhe krizat humanitare.

Departamenti Amerikan i Shtetit e cilësoi takimin si “miqësor dhe konstruktiv”, ndërsa Rubio deklaroi se vizita kishte për qëllim të nënvizonte “angazhimin e përbashkët për paqen dhe dinjitetin njerëzor”.

Gjatë vizitës pati edhe një shkëmbim simbolik dhuratash mes Papës dhe zyrtarit amerikan. Rubio i dhuroi Papës një objekt kristali në formë topi futbolli amerikan, duke përmendur pasionin e Papa Leone XIV për bejsbollin dhe ekipin Chicago Ëhite Sox. Nga ana tjetër, Papa i dhuroi Rubios një stilolaps të punuar nga druri i ullirit, të cilin e quajti “simbol i paqes”, si dhe një libër të ilustruar mbi veprat artistike të Vatikanit.

Sipas mediave të Vatikanit, gjatë takimit Rubio kujtoi se kishte kaluar afro një vit nga takimi i fundit me Papën, ndërsa Leone XIV i tha me humor se kishin kaluar “10 ditë më pak se një vit”. Rubio kishte marrë pjesë edhe në meshën e inaugurimit të Papës, së bashku me zëvendëspresidentin amerikan J.D. Vance.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se Rubio dhe kardinali Parolin diskutuan edhe për përpjekjet diplomatike për arritjen e një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

Pas vizitës në Vatikan, Marco Rubio pritet të zhvillojë të premten një takim edhe me kryeministren italiane Giorgia Meloni.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)