Hantavirusi vendos në alarm botën, krahasimi që bën OBSH me Covid-19

Virusi i identifikuar në këtë rast është “Andes virus”, një lloj i rrallë i hantavirusit që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu.

Burimi: New Scientist

07.05.2026. 19:07

Hantavirusi vendos në alarm botën, krahasimi që bën OBSH me Covid-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë deklarioi se shpërthimi i hantavirusit në bordin e anijes turistike MV Hondius nuk pritet të shndërrohet në pandemi, duke theksuar se situata është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik.

Në një konferencë për shtyp, ekspertët e OBSH-së sqaruan se situata aktuale nuk duhet krahasuar me pandeminë e COVID-19, pasi virusi nuk përhapet lehtë në popullatë dhe kërkon kontakt të ngushtë mes personave për t’u transmetuar. Sipas tyre, rreziku për përhapje të gjerë mbetet i ulët.

Deri tani janë konfirmuar pesë raste të infektimit me hantavirus në bordin e anijes, ndërsa tre persona kanë humbur jetën. Tre pacientë të tjerë, të shtruar në spitale në Holandë dhe Afrikën e Jugut, po raportohen në përmirësim.

Ekspertët e OBSH-së theksuan se virusi i identifikuar në këtë rast është “Andes virus”, një lloj i rrallë i hantavirusit që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu, por vetëm në kushte shumë të afërta. Ky virus mund të shkaktojë sëmundje të rëndë në mushkëri dhe ka një shkallë vdekshmërie që mund të arrijë deri në 50 për qind.

Megjithatë, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se rreziku për përhapje masive është i kufizuar dhe se masat e izolimit dhe gjurmimit të kontakteve janë të mjaftueshme për të ndaluar përhapjen e infeksionit.

Sipas OBSH-së, për shkak të periudhës së inkubacionit që mund të zgjasë deri në gjashtë javë, është e mundur që raste të reja të shfaqen në ditët dhe javët në vijim, por jo në nivel që të shkaktojë shpërthim të madh epidemik.

Shkencëtarët që ndjekin situatën theksojnë se, edhe pse disa ekspertë paralajmërojnë për potencialin e hantavirusit në të ardhmen, rasti aktual në anije është i kufizuar dhe nën kontroll, duke mos paraqitur rrezik për pandemi globale.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)