“Mbappé jashtë”, 18 milionë firma në peticionin e tifozëve të Real Madrid

Sjellja e tij jashtë fushës ka shkaktuar pakënaqësi te tifozët madrilenë. Sulmuesi francez së fundmi kaloi disa ditë pushimi në Sardenjë, gjatë periudhës së rikuperimit nga dëmtimi në muskujt e kofshës.

07.05.2026. 18:10

“Mbappé jashtë”, 18 milionë firma në peticionin e tifozëve të Real Madrid

Tifozët e Real Madrid duket se kanë humbur durimin me superyllin francez, Kylian Mbappé. Sipas medias britanike “Tribal Football”, një peticion që kërkon largimin e sulmuesit nga klubi ka mbledhur mbi 18 milionë firma. Edhe pse Mbappé ka zhvilluar një sezon mbresëlënës në aspektin e statistikave, me 42 gola dhe 9 asist në 44 ndeshje në të gjitha kompeticionet, sjellja e tij jashtë fushës ka shkaktuar pakënaqësi te tifozët madrilenë.

Sulmuesi francez së fundmi kaloi disa ditë pushimi në Sardenjë, me leje nga klubi, gjatë periudhës së rikuperimit nga dëmtimi në muskujt e kofshës. Mediat publikuan fotografi të tij në një jaht dhe duke shëtitur me aktoren spanjolle Ester Expósito, me të cilën përflitet se është në një lidhje romantike. Expósito, e lindur në vitin 2000, u bë e njohur në mbarë botën falë rolit të saj në serialin Elite në Netflix. Çifti është parë shpesh bashkë në Madrid dhe Paris që prej muajit mars.

Pakënaqësia e tifozëve është shtuar edhe më shumë pasi Mbappé nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e madhe ndaj Barcelonës. “El Clásico” do të luhet më 11 maj në “Camp Nou”. Real Madrid ka nevojë për fitore, për të mbajtur gjallë shpresat në garën për titullin e La Liga. Aktualisht, madrilenët ndodhen 11 pikë pas Barcelonës kryesuese, me vetëm katër ndeshje të mbetura, ndërsa kanë dështuar edhe në Champions League dhe Kupën e Mbretit.

Trajneri i përkohshëm Álvaro Arbeloa e mbrojti lojtarin duke deklaruar se “gjatë periudhave të pushimit, Mbappé, si çdo futbollist tjetër, është i lirë të bëjë çfarë të dëshirojë”. Megjithatë, tifozët vazhdojnë presionin ndaj klubit. Peticioni, që fillimisht synonte të mblidhte 200 mijë firma, raportohet se tashmë ka kaluar shifrën e 18 milionëve. Mbappé iu bashkua Realit të Madridit si lojtar i lirë nga Paris Saint-Germain në verën e vitit 2024 dhe ka kontratë me klubin spanjoll deri në qershor 2029.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)